Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë për 100 ditët e para të punës së qeverisë së udhëhequr nga ai, ka thënë se në këtë periudhë kohore janë përmbushur premtimet bazë për menaxhim të pandemisë.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka thënë se është realizuar me sukses premtimi që të ndalet trendi në rritje i infektimeve të reja dhe vdekjeve nga COVID-19. Për pikë të dytë të menaxhuar me sukses, sipas Kurtit, ka qenë sigurimi i vaksinave ndaj virusit. Këtu ka thënë se në vend janë të konfirmuara gati dy milionë vaksina, me 400 mijë të ardhura deri tash e 200 mijë të administruara.
“Gjendja mbi pandeminë është vënë nën kontroll”, ka thënë ai. “Është menaxhuar me sukses, vaksinat janë siguruar dhe e kemi përmbushur premtimin bazë.”
Kurti ka thënë se për 100 ditë të qeverisjes së tij janë marrë 144 vendime.
Duke lavdëruar qeverinë e tij për fokusin në punësime e drejtësi, Kurti ka thënë se në buxhetin e ardhshëm Qeveria ka planifikuar një pako të re për ringjallje ekonomike.
Edhe
Kurti numëron “rezultatet e jashtëzakonshme” të qeverisjes së tij
Megjithatë, në fund të fjalimit të tij, Kurti u është drejtuar ministrave të kabinetit se “vend për relaks nuk ka”.
“Qytetarët presin rezultate sa më shumë e sa më shpejt. E dimë sa e vështirë është jeta për ta. Qytetarët duan vende të reja pune. Prindërit të ardhura për të paguar faturat e të jenë në gjendje të kursejnë për të ardhmen. Duan qasje në shëndetësi e kur të shërohen të shërohen pa frikë se po bankrotojnë. Të rinjtë duan hapësira për avancim e garanci se mund të krijojnë familje e të ndërtojnë të ardhmen këtu. Pensionistët duan jetë të shëndetshme... Kërkesat e pritjet s’kanë ndryshuar prandaj themi se s’ka vend për relaksim. Zotimet tona e pritjet e tyre duhet të jenë udhërrëfyes i punëve tona. Duhet t’u themi të vërtetën çdoherë kur punojmë mirë, por edhe kur gabojmë sepse ata na kanë zgjedhur të ju tregojmë jo çfarë duan të dëgjojnë, por çfarë duhet. Suksesin ta matim jo sa mirë po qeverisim në krahasim me qeveritë e kaluara, por në krahasim me pritjet e qytetarëve. E dinë se qeveritë e mëparshme s’krahasohen me qeverinë tonë. Gara jonë është me të ardhmen e jo me të kaluarën e këto janë 100 ditët e kthesës drejt zhvillimit”, ka deklaruar ai.