Arbëri

Kurti kujton të vrarët në Polac gjatë luftës: S’do të ndalim së kërkuari drejtësi për viktimat

Familjarët e të vrarëve në Polac të Drenicës, gjatë luftës

Familjarët e të vrarëve në Polac të Drenicës, gjatë luftës

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar 87 viktimat civile dhe dëshmorët e Polacit të Drenicës, të vrarë nga forcat serbe. 

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se Serbia ka pasur për qëllim t’i fshehë krimet dhe t’i zhdukë gjurmët përmes zhdukjes së trupave të pajetë. 

“Shtatë banorë të Polacit janë ende të pagjetur, teksa autoritetet e Serbisë i refuzojnë dhe i bishtnojnë bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Në kohën e luftës, 20 banorë të Polacit u mbijetuan plagëve”, ka shkruar ai. 

Kurti ka shtuar se gjatë viteve 1998-99, policia dhe ushtria e Serbisë e dogjën dhe e shkatërruan pothuajse tërësisht fshatin Polac. 

“Mbi 450 shtëpi banimi, oda pritjesh e ahrije u dogjën, duke e vështirësuar edhe më shumë kthimin në fshat dhe rindërtimin e jetës në Polac pas luftës. Shoqëria dhe shteti i Kosovës do të kujdesen për trashëgiminë e luftës së popullit të Kosovës. Nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për viktimat, për krimet e luftës dhe dëmet e luftës në drejtim të kriminelëve dhe në adresë të urdhërdhënësve të tyre”, ka shkruar më tej ai.