Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Samiti i Berlinit

Kurti kërkon të zbatohet marrëveshja për lëvizje të lirë mes Kosovës e Bosnjës

Albin Kurti

Foto: Alban Bujari

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar të enjten me të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin u tha se ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit rajonal.

Zyra e Kryeministrit njoftoi nëpërmjet komunikatës se Kurti ka folur për rëndësinë e marrëveshjeve nga Procesi i Berlinit, duke kërkuar të zbatohen plotësisht, përfshirë edhe marrëveshjen për lëvizje të lirë me letërnjoftim mes Kosovës e Bosnjë-Hercegovinës.

“Duke folur për pritjet nga samiti i radhës, kryeministri theksoi rëndësinë që marrëveshjet e arritura në Procesin e Berlinit të zbatohen plotësisht duke përfshirë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID kartë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës. Në takim u bisedua edhe për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë në adresimin e përbashkët të tyre”, thuhet në komunikatë.

Kurti e i dërguari gjerman kanë folur edhe për përgatitjet për samitin e 10-të të Procesit të Berlinit.

Në shkurt të 2023-s, Kuvendi i Kosovës pati ratifikuar marrëveshjen për lëvizje të lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, si pjesë e marrëveshjeve në kuadër të Samitit të Berlinit.

Edhe Kurti takohet me Sarrazinin, bisedojnë për marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit Arbëri Kurti takohet me Sarrazinin, bisedojnë për marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit

Megjithatë, kundër kësaj kishte dalë Bosnjë-Hercegovina, duke mos pranuar lëvizjen me letërnjoftime.

Pala boshnjake e pati nënshkruar në Berlin këtë nismë, por ajo s'kishte kaluar në Kuvend. Bosnjë-Hercegovina nuk e njeh Republikën e Kosovës.