Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje për “takimin e gjatë” me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ku ka kërkuar më shumë mirënjohje për përpjekjet e Kosovës në integrimin e komunitetit serb.
Kurti theksoi se komuniteti serb në Kosovë gëzon të gjitha të drejtat kushtetuese, përfshirë përfaqësimin në Kuvend me ulëse të rezervuara dhe përdorimin e gjuhës serbe në të gjitha nivelet institucionale. Ai shtoi se që nga largimi i rreth 500 pjesëtarëve serbë nga Policia e Kosovës, janë përfshirë 199 kadetë serbë të rinj në kuadër të Policisë.
“Prej më shumë se dy vjetësh, shqiptarët dhe serbët punojnë bashkë në katër komunat veriore, pa asnjë incident. Kërkova që të ketë më shumë mirënjohje për Kosovën për këtë realitet”, ka thënë Kurti.
Kryeministri në detyrë theksoi se veprimet e qeverisë janë në funksion të integrimit të komunitetit serb dhe në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare, ndërsa kritikoi Serbinë për mungesën e reciprocitetit.
Ndërkaq, sipas një njoftimi për media nga Zyra e Kryeministrit, Kurti në takim ka kërkuar nga Sorenseni edhe reagim për arrestimet e kosovarëve në Serbi.
“Në anën tjetër, kryeministri ngriti shqetësimin e tij me emisarin Sørensen në lidhje me deklaratat e vazhdueshme kërcënuese të krerëve të Serbisë ndaj Kosovës dhe arrestimet arbitrate të qytetarëve të Republikës së Kosovës gjatë udhëtimit tranzit përmes Serbisë nga autoritetet serbe, ndaj të cilëve kërkoi reagim të zëshëm dhe dënues nga komuniteti ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.