Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti e quan “naivitet” reagimin e Blinkenit për situatën në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur naivitet dhe të padobishme reagimin e sekretarit të Shtetit amerikan, Antony Blinken, për situatën në veri.

Të premten, sekretari amerikan i Shtetit lëshoi qortim jashtëzakonisht të fortë ndaj Kosovës, duke thënë se vendimi për të përdorur forcën për të hyrë në ndërtesat komunale në veri ishte marrë “kundër këshillës” së SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe “tensionet u përshkallëzuan në mënyrë të panevojshme”.

Kurti shprehu pakënaqësinë e tij për këtë deklaratë, duke e cilësuar atë “zbutje” për presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

“Mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive. Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme”, ka thënë Kurti për The Guardian të martën.

Kurti ka thënë se kishte folur me Gabriel Escobarin më vonë, të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin. Kreu i ekzekutivit ka thënë se Escobari kishte kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të zhvendosnin kryetarët e komunave në objekte të ndryshme, ose të punonin nga shtëpia, një kërkesë që Kurti e kishte refuzuar.

“Nuk mund të kemi kryetar komunash virtual, ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike nuk mund t'i dorëzohet milicisë fashiste”, ka shtuar ai.

Edhe Kurti – Blinkenit: Vuçiqi s’kishte gatishmëri për takim trepalësh në Bruksel Arbëri Kurti – Blinkenit: Vuçiqi s’kishte gatishmëri për takim trepalësh në Bruksel

Kurti tutje është shprehur se ka qenë fat që dje nuk ka humbur jetën asnjë pjesëtar i KFOR-it.

Më shumë se 30 ushtarë paqeruajtës të NATO-s u plagosën në përleshjet e së hënës, duke bërë që aleanca ushtarake të njoftojë se do të dërgojë 700 trupa të tjera në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e vendosi ushtrinë e vendit të tij në gatishmëri të lartë luftarake.

Dhuna në veri ka nisur që nga e premta, kur kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe ia mësyen objekteve komunale.