Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe të enjten para bustit të ish-Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, në Prishtinë. Kurti e Konjufca u shprehën falënderues për veprën e Albrightit dhe ndikimin që pati në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë më 1999.
Kurti ka thënë se personaliteti i Albrightit do të kumbojë jo vetëm në SHBA e Kosovë, por në të gjithë vendet e botës për shkak të orientimit të saj për demokraci sociale.
“Politika, diplomacia e historia vështirë se kombinohen në një mënyrë më të përsosur sesa te personaliteti i jashtëzakonshëm i Madeleine Albrightit. Ajo në politikë ishte historiane, në histori ishte diplomate ndërkaq në diplomaci ishte politikane. Kur kemi parasysh edhe përvojën e saj jetësore si emigrant hebreje në SHBA, kemi të bëjmë me një figurë e cila nuk i takon vetëm shekullin XX, por edhe atij XXI. Çdo herë kur fliste, vepronte ose shkruante ishte aq profesionale në secilën prej asaj çfarë bënte e thoshte saqë nuk mund të quhet profesioniste për shkak të qenies së saj të gjithanshme. Dija e saj e thellë, mendja e mprehtë, dashuria e paepur për të drejtat dhe lirinë e qytetarit në Republikë, orientimi për demokracinë sociale dhe gjithashtu njohuritë e jashtëzakonshme për gjeopolitikën e bëjnë një personalitet që do të kumbojë gjatë jo vetëm në politikën e SHBA-së e te ne në Kosovë, por edhe në shumë vende të botës. Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë, padyshim që mban vulën e Albright. Dhe për këtë jemi padyshim gjithmonë falënderues”, deklaroi Kurti.
Ndërkohë, Konjufca u shpreh se populli i Kosovës nuk do ta harrojë asnjëherë kontributin e jashtëzakonshëm e Albrightit për lirinë e vendit.
“Ajo së bashku me presidentin Clinton ishin forca kryesore shtytëse në planin ndërkombëtar për ta ndalë gjenocidin e Serbisë mbi popullin e Kosovës. Presidenti Clinton e përshkroi më së miri në një deklaratë përkujtimore dje, për popullin amerikan Albright ishte një thesar kombëtar. Ajo së bashku me SHBA-në iu gjetën popullit të Kosovës në ditët më të vështira. U prehtë në paqe kjo zonjë e madhe dhe mike e Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Homazhe te busti i Albrightit ka bërë edhe grupi i grave deputete.
Albright vdiq të mërkurën në moshën 84-vjeçare. Sipas familjes së saj, ajo vdiq nga kanceri.