Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, do të takohet gjatë ditës së sotme me përfaqësues parlamentarë të minoriteteve, përfshirë edhe atyre të minoritetit serb.
Koha.net mëson se takimi me përfaqësuesit serbë do të ndodhë në orën 16:00.
Lajmi për takim është konfirmuar nga Arlind Manxhuka, zëdhënës i VV-së. Ai ka thënë për Koha.net se me përfaqësues të serbëve, që në këtë rast është Lista Serbe, do të diskutohet programi qeverisës për fushat që kanë ndikim në jetën e këtij komuniteti.
“Kryetari Albin Kurti, në kuadër të bisedimeve për të krijuar qeverinë, përveç diskutimeve intensive me partnerin kryesor qeverisës, LDK-në, do të takohet edhe me përfaqësuesit parlamentarë të minoriteteve, përfshi edhe minoritetin serb. Me këta të fundit do të diskutohet programi qeverisës sidomos në fushat që kanë impakt në jetën e këtij komuniteti. Po ashtu do të diskutohet edhe për propozimet e z. Kurti sa i përket drejtuesit të ministrisë që do të drejtohet nga dikush prej minoritetit serb, siç garanton kushtetuta”, ka thënë ai.
Ndërkaq, KTV-ja mëson se takimi i Albin Kurtit me minoritetet ka nisur në orën 15:00.