Në shënimin e 20-vjetorit të Inspektoratit Policor të Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se besimi prej 85.6 për qind ndaj Policisë lidhet me mbikëqyrjen e pavarur që këtij institucioni ia bën IPK-ja. Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, theksuan se rritja e numrit të ankesave dëshmon besimin e qytetarëve te ky institucion
Gatishmëria e institucioneve të sigurisë për t’iu nënshtruar kontrollit të pavarur ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj tyre, ka thënë të enjten kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në ceremoninë për shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Kurti ka thënë se kjo reflektohet edhe në anketat e fundit, ku Policia renditet ndër institucionet më të besueshme në vend, me 85.6 për qind besim nga qytetarët.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ky rezultat është dëshmi e profesionalizmit të Policisë së Kosovës si dhe e funksionimit të mekanizmave të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies që garanton Inspektorati Policor i Kosovës”, ka thënë Kurti. “Gjatë viteve të fundit, IPK-ja ka shënuar progres të dukshëm në fuqizimin e rolit të saj institucional. Rritja e raportimeve përmes Linjës së Kaltër dhe mekanizmave të tjerë të komunikimit publik është tregues i drejtpërdrejtë i besimit që qytetarët kanë ndërtuar ndaj këtij institucioni. Nga viti 2021 deri më tash, janë pranuar dhe trajtuar 11.305 ankesa nga të cilat 4 për qind janë nga qytetarët e komuniteteve jo shumicë të cilët jetojnë në Kosovë”.
Ai ka theksuar se secili rast dhe ankesë është trajtuar me profesionalizëm, ndërsa aty ku janë konstatuar shkelje ligjore apo disiplinore janë ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe të vendosura.
“Operacionet e rëndësishme kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, përfshirë operacionet ‘Pika’ dhe ‘Pika 2’, kanë dëshmuar përkushtimin institucional për luftimin e çdo forme të paligjshmërisë përbrenda sistemit të sigurisë”, ka thënë kryeministri në detyrë. “Njëkohësisht, IPK-ja ka zgjeruar praninë dhe qasjen e saj në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe katër komunat në veri të vendit, duke garantuar trajtim të barabartë dhe qasje institucionale për të gjithë qytetarët”.
Në këtë jubile, kryeministri në detyrë ka premtuar se Qeveria do të vazhdojë ta mbështesë “pa rezervë” IPK-në në forcimin e kapaciteteve profesionale, garantimin e pavarësisë funksionale, përmirësimin e vazhdueshëm të kuadrit ligjor dhe modernizimin e mëtutjeshëm teknologjik.
Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se IPK-ja ka rol kyç në garantimin e llogaridhënies brenda Policisë.
“Inspektorati Policor i Kosovës u ngrit me një mision që nuk është kurrë i lehtë, të kujdeset që ata të cilët e mbrojnë qytetarin të mbeten vetë brenda ligjit. Një nga detyrat më të vështira që një shtet demokratik mund ta ndërtojë vetë, pra brenda vetes”, ka thënë ajo në ceremoni. “Rritja e numrit të qytetarëve që i drejtohen Inspektoratit është dëshmi se ky institucion po shihet gjithnjë e më shumë si një adresë e besueshme për drejtësi, ku çdo ankesë trajtohet me profesionalizëm”.
Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj, ka theksuar se institucioni që udhëheq gëzon besim të madh të qytetarëve.
“Rritja e vazhdueshme e numrit të ankesave të paraqitura nuk është vetëm tregues i problemeve, por është gjithashtu dëshmi se qytetarët besojnë se zëri i tyre dëgjohet dhe se çdo pretendim trajtohet me paanshmëri, profesionalizëm dhe përgjegjësi”, ka thënë Hodaj.
Në ceremoninë për shënimin e dy dekadave punë të IPK-së, u shfaq edhe dokumentari “Kush i ruan rojet – 20 vjet IPK”.
Qëllim i veprimtarisë së IPK-së është: Parandalimi, zbulimi, dokumentimi dhe hetimi i veprave penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj.