Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova beson në Bashkim Evropian dhe se familja evropiane duhet të zgjerohet.
Kurti e ka bërë këtë deklaratë të enjten, në pritjen për anëtarët e Komitetit të Këshillit të BE-së për Aspektet Civile të Menaxhimit të Krizave në Kosovë, organizuar nga EULEX-i dhe Ambasada e Çekisë.
“Qeveria dhe populli i Kosovës besojnë në BE dhe ne mendojmë se BE-ja duhet të ketë ambicie të mëdha për Ballkanin Perëndimor dhe për vete. BE-ja duhet të përparojë, ne të gjithë duhet të mbrojmë BE-në dhe BE-ja duhet të zgjerohet”, ka thënë Kurti.
Kurti ka folur edhe për punën e Qeverisë së tij dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuuar në sigurinë ndërkombëtare.
“Ne kemi ndërmarrë gjithashtu hapa për të rritur dialogun me komunitetin serb, dhe komunitetet e tjera joshumicë në vendin tonë, në mënyrë që t'i integrojmë ata si qytetarë pjesëmarrës të plotë dhe të barabartë të vendit tonë. Të drejtat e pakicave tona janë të mbrojtura dhe do të vazhdojnë të jenë. Ne themi se barazia për të gjithë është e nevojshme që të kemi demokraci të shëndetshme”, është shprehur Kurti.