Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Agresioni më i madh ushtarak që nga Lufta e Dytë Botërore po ndodh në Ukrainë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ajo që po ndodh në Ukrainë është agresioni më i madh ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Në konferencën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Kurti ka thënë se Kosova është e orientuar me BE-në e NATO-n, e po ashtu edhe me SHBA-në e Mbretërinë e Bashkuar, në përkrahje të popullit të Ukrainës.

“Sot është një mëngjes i trishtë në Evropë. Në këto qaste ku jemi ne në Prishtinë, në Ukrainë po ndodh invazioni rus, i cili është agresioni më i madh ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Ne solidarizohemi me popullin e Ukrainës, dhe jemi të orientuar bashkë me BE-në dhe NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Mbretërinë e Bashkuar, për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, pavarësinë e vendit dhe të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Ukrainës. Mbrëmë kemi marrë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë ku kemi diskutuar për situatën aktuale dhe masat që duhet t'i marrim në mënyrë që orientimi jonë euro-atlantik të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm”, ka thënë Kurti.

Për krizën në Ukrainë ka folur edhe shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog. Ai e ka quajtur ditë të trishtë për sigurinë e Evropës sulmin rus në Ukrainë.

“Është problemi i sigurisë në Evropë dhe është ditë e trishtë për sigurinë e Evropës. Bashkimi Evropian i dënon këto sulme nga ana e Rusisë në Ukrainë”, ka thënë ai. 

Të njëjtat fjalë, Kurti i ka thënë edhe në Kuvendin e Kosovës.