Kryeministri Albin Kurti të premten ka marr pjesë në takimin me nënkryetarët dhe zyrtarët komunalë për komunitetet me të cilët ka diskutuar për parandalimin e martesave të hershme.
Kurti me këtë rast ka thënë se qëllimi i përbashkët i të gjithë akterëve është parandalimi i martesave të hershme.
“Është fenomen përgjithësisht i fshehur, mirëpo shifrat e UNICEF-it me Agjencinë e Statistikave, prej vitit 2020 na tregojnë që në grup moshën 20 deri në 24 vjeç, 31% të grave e vajzave rom, ashkali dhe egjiptian kanë qenë të martuara nën moshën 18-vjeçare. Kjo nënkupton se qindra vajza, çdo vit, që kanë të drejtat dhe mundësitë e tyre për të ardhmen e tyre janë të dëmtuara rëndë”, shpjegoi tutje ai.
Kurti ka përmendur faktin se pavarësisht që ka lagje të caktuara ku çdo e treta vajzë martohet e re – si fëmijë, ky nuk është një problem në masë të njëjtë në çdo rajon të Kosovës.
“Ka komuna ku vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian më shumë janë bërë shembuj për vijueshmërinë në shkollat e mesme dhe në fakultete, në aktivizimin edhe në aktivitete të ndryshme kulturore, shoqërore, publike”, ka deklaruar Kurti.