Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Të rinjtë dhe të rejat duhet të jenë në qendër të politikave dhe vendimmarrjes

Albin Kurti

Të rinjtë dhe të rejat duhet të jenë në qendër të politikave dhe vendimmarrjes. Kështu ka thënë kryeministri në detyrë Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë në aktivitetin “Zëri yt, e ardhmja jonë”, raporton Ekonomia Online.

Kurti theksoi se rreth 40 për qind e popullsisë së Kosovës përbëhet nga të rinj. Ai ka thënë se Qeveria ka ndërmarrë një sërë masash në arsim, punësim, kulturë dhe sport, me synim krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë.

Sipas Kurtit, përmes sistemit dual të arsimit është synuar lidhja më e madhe mes arsimit profesional dhe tregut të punës, ndërsa në arsimin e lartë janë ofruar bursa dhe mbështetje financiare për mijëra studentë.

Ai përmendi edhe programin Superpuna, përmes të cilit, sipas tij, janë punësuar më shumë se 23 mijë të rinj nga mosha 18 deri në 29 vjeç. Prej tyre, 51 për qind janë vajza dhe 49 për qind djem, ndërsa rreth 10,500 biznese kanë përfituar nga programi.

Kurti tha se potenciali i të rinjve po reflektohet edhe në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, veçanërisht në eksportin e shërbimeve.

“Rininë e shohim edhe si të tashmen, meqenëse është një pjesë e madhe e çmuar e shoqërisë sonë”, tha Kurti.

Edhe Shërbim ushtarak, në bazë vullnetare Arbëri Shërbim ushtarak, në bazë vullnetare

Ai theksoi se mbështetja për të rinjtë duhet të vazhdojë edhe në kulturë dhe sport, ndërsa u bëri thirrje të rinjve që të komunikojnë me institucionet dhe të shprehin nevojat dhe kërkesat e tyre.

“Ne nuk i premtojmë rinisë, ne zotohemi dhe realizojmë tash dhe këtu për të”, deklaroi Kurti, duke i uruar të rinjtë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.