Drejtori i Drejtorisë së Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, duke folur për shpërndarjen e shujtave për njerëzit në nevojë ka thënë se vendi nga ku janë shpërndarë shujtat është i dezinfektuar.
Ai në Express Intervistë të KTV-së ka thënë se zakonisht shpërndahen 300 shujta në ditë, por se tash e tutje janë përgatitur për 600 shujta, derisa shton se nëse ka nevojë, numri i tyre do të shtohet.
“Kemi kontratë për ushqimin bazik, nuk ka me pas kriza të ushqimit, varësisht sa ka nevojë do të rritet numri i shujtave. Në rrethana normale ndodh që të mbetet ushqimi por familjet në nevojë e marrin ushqimin dhe e dërgojnë në shtëpitë e tyre. Sot ka me pas pasul, sallatë, dardha dhe bukë. Çdo ditë ka gjellë të nxehtë, sallatë dhe pemë”, ka thënë ai.
Kukaj ka thënë se edhe nëse situata zgjatë për disa muaj, nuk do të ketë problem për furnizimin me ushqim.
Sipas tij, përveç pastrimit të rrugëve, secila hyrje e banesave do të furnizohet me dezinfektues për duar.
Ai thotë se një furnizim i tillë mund të ndodhë edhe me njësitë banesore të cilat nuk janë nën menaxhimin e komunës.
Edhe
Komuna e Prishtinës sot shpërndan shujta të ngrohta për njerëzit në nevojë
Kukaj ka thënë se do t’i dezinfektojnë edhe dy strehimore që gjenden në Prishtinë, atë për fëmijë dhe personat e trafikuar.
Ai thotë se një pjesë e çerdheve dhe shkollave janë dezinfektuar në Prishtinë.
Ai thotë se edhe nga Drejtoria e tyre, disa persona janë duke punuar nga shtëpia.