Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, kundër kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, duke ia kthyer rastin të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje.
Elezaj ishte gjobitur me 4000 euro më 25 janar për veprën penale të “konfliktit të interesit”.
Apeli ka konstatuar se aktgjykimi në fjalë duhet anuluar, “ngase i njëjti është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke qenë se nuk është përpiluar konform dispozitës së nenit 370 par.7 lidhur me nenin 365 të Kodit të Procedurës Penale”.
Sipas Apelit, “dispozitivi është në kontradiktë me arsyet e theksuara, në pjesën arsyetuese të aktgjykimit, njëkohësisht mungojnë arsyet për faktet vendimtare, ndërsa, ato që janë dhënë, nuk janë në pajtueshmëri të plotë me provat dhe shkresat e tjera në lëndë”.
Në arsyetimin e vendimit që lënda të kthehet në rigjykim, Gjykata ka thënë se ka gjetur se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të gabuar dhe jo të plotë.
Elezajt i ishte ndaluar edhe ushtrimi i funksioneve publike në afat prej dy vitesh.
Ai akuzohej se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij, ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës. Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë. Në aktakuzë thuhej se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.