Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se besojnë se dialogu është zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Serbinë, por pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, prioritetet e ekzekutivit janë siguria e vendit dhe sanksionet ndërkombëtare ndaj Serbisë, duke iu përgjigjur thirrjeve të ndërkombëtarëve që palët të kthehen sa më shpejt në dialog.
Zëdhënësi i Qeverisë është shprehur se sulmi i 24 shtatorit, ku vdiq rreshteri Afrim Bunjaku, ka ndryshuar pothuajse diçka. Shprehet se është përgjegjësi e tyre të insistojnë në vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë nga aleatët ndërkombëtarë.
“Thirrjet e partnerëve ndërkombëtarë për dialog janë parimore. Ne besojmë se zgjidhja e mosmarrëveshjeve është dialogu, por prioritetet për neve tani janë siguria e Kosovës dhe sanksionet ndaj Serbisë, të përcaktuara pas sulmit terrorist më 24 shtator. Po punohet bashkë me KFOR-in për ta rritur nivelin e sigurisë në veri përmes bashkëpunimit. Nëpërmjet misioneve diplomatike dhe takimeve me ndërkombëtarët, po shfrytëzojmë mundësinë të ritheksojmë se me gjithë këto dëshmi duhet të ketë pasoja për Serbinë sepse ndryshe veç e inkurajon atë. Është përgjegjësi e jona të kërkojmë, argumentojmë dhe të insistojmë për këtë [sanksione ndaj Serbisë”, ka thënë Kryeziu në “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas Kryeziut, me sulmin e kryer nga Serbia, u tregua se mungon minimumi i mirëbesimit mes palëve, pasi “10 ditë para sulmit, ne ishim në të njëjtën tavolinë duke folur për një marrëveshje, ndërsa Serbia përgatiste planin për aneksimin e një pjesë të Kosovës”.
Ai ka deklaruar se deri tash kanë dëshmuar se katër institucione serbe kanë qenë të përfshira në sulm.
Edhe
Qeveria: Para kthimit në dialog janë siguria e Kosovës dhe sanksionimi i Serbisë
“Janë të paktën katër institucione që i kemi dëshmuar të përfshira në këtë sulm. Presidenca, nëpërmjet lidhjes së Vuçiqit me Radoiçiqin, shërbimin inteligjent nëpërmjet Vulinit dhe ish-truprojës së tij që mbeti i vrarë, ushtrinë nëpërmjet armatimit dhe Ministrinë e Mbrojtjes përmes fletëdorëzimit të atij armatimi. Hetimet e Policisë tregojnë se ka pasur plan për 37 apo 38 pika të sulmeve, armatim për më shumë se 200 – 300 persona. S’ka shpjegim tjetër, qëllimi ishte aneksimi i veriut”, ka thënë Kryeziu.
Zëdhënësi i Qeverisë ka thënë se hetimet e Policisë janë duke vazhduar, ndërsa çdo ditë po gjejnë dëshmi të reja për atë që ndodhi në Banjskë. Ka paralajmëruar se do të ketë një raport gjithëpërfshirës.
“Hetimet e Policisë vazhdojnë. Çdo ditë kemi gjetur dëshmi të reja, armatim të ri në lokacione të ndryshme që i kanë takuar këtij grupi terrorist. Kur të përfundojnë hetimet, do të ketë raport gjithëpërfshirës. Kemi individë të arrestuar nga ai sulm terrorist që do t’i nënshtrohen një procesi gjyqësor ku edhe besoj se do shpërfaqet më shumë”, ka shtuar Kryeziu.
Sulme të tilla, siç thotë Kryeziu, nuk mund të përjashtohen.
“Sepse s’ka distancim nga Serbia për këtë sulm terrorist. Madje, i martirizuan pjesëmarrësit që u vranë gjatë sulmit. Duhet të jemi të përgatitur për çdo situatë”, ka deklaruar Kryeziu.
Edhe
Qeveria për vazhdimin e dialogut: Adresimi i pasojave të sulmit terrorist, prioritet më urgjent
Kryeziu: S’mund të ketë vëmendje tek Asociacioni për aq kohë sa mungon siguria dhe sanksionet
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se aktualisht nuk mund të ketë vëmendje tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe për aq kohë sa mungon siguria dhe sanksionet ndaj palës tjetër në dialog.
Të premten në “Interaktiv” të KTV-së, Kryeziu ka thënë se pas 24 shtatorit ekziston një situatë krejtësisht e re, për çka fillimisht duhet të përfundojnë hetimet dhe të garantohet siguria në mënyrë që të ecet përpara me çfarëdo lloj procesi.
Teksa është deklaruar për Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit si aneks i saj, Kryeziu e ka akuzuar Serbinë për shkelje të çdo parimi të kësaj marrëveshjeje.
“Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit si aneks i saj, e ka në qendër njohjen reciproke. Prej 27 shkurtit e deri më tani Serbia në mënyrë të vazhdueshme ka bërë shkelje të hapur në letrën e saj, e ka minuar atë në deklarata publike, ndërkaq më 24 shtator, Serbia e ka shkelur çdo parim dhe çdo frymë të asaj marrëveshjeje, duke u përfshirë në një sulm terrorist e agresion ndaj Kosovës përmes trupave paramilitarë e kriminalë. Neni 3 i Marrëveshjes së Brukselit thotë kështu ‘palët në konformitet me kartën e Kombeve të Bashkuara do të zgjidhin çfarëdo lloj mospajtimi ekskluzivisht nëpërmjet mënyrave paqësore dhe do ta kufizojnë veten nga përdorimi i forcës apo kërcënimit”, ka thënë ai.
Edhe
Kryeziu: Pavarësisht shkeljeve të Serbisë, masat janë vendosur vetëm për Kosovën
Zëdhënësi i Qeverisë më tej ka thënë se pas këtyre shkeljeve të vazhdueshme të Serbisë, është kërkuar që ndërmjetësuesi të reagojë, në mënyrë që të ketë trajtim të drejtë e të barabartë.
“Neni 3 realisht është parimi i marrëveshjes për fqinjësi të mirë, për respektim të integritetit dhe sovranitetit të njëra-tjetrës dhe për mosndërhyrje në punët e njëra-tjetrës. Përveç shkeljeve të njëpasnjëshme në letër, tani kemi edhe shkeljen me dy këmbë edhe në frymë të marrëveshjes, ne në vazhdimësi kemi kërkuar që ndërmjetësuesi t’i bie filikaçës sa herë që sheh shkelje të tilla, sepse vetëm ashtu mund të ketë një trajtim të drejtë, të barabartë e të balancuar”, është shprehur ai.