Në dy institucionet më të larta shtetërore, Presidencë dhe Qeveri, është përsëritur kërkesa për ta sanksionuar Serbinë. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se para vazhdimit të dialogut me Serbinë, Kosova e ka prioritet garantimin e sigurisë brenda territorit dhe sanksionimi i shtetit përgjegjës për sulmin.
Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit i ka ndryshuar prioritetet e Qeverisë.
Para vazhdimit të dialogut me Serbinë, në ekzekutiv kanë thënë se prioritet është garantimi i sigurisë brenda territorit të Kosovës dhe sanksionet ndaj Serbisë.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, është shprehur se implikimi i Serbisë në sulmin terrorist të Banjskës i ka përmbysur edhe standardet minimale të mirëbesimit brenda bisedimeve dhe ka krijuar situatë të re në dialog.
“Për ne prioritet është siguria dhe sanksionet. Këto janë prioritete të cilat na i ka paracaktuar sjellja e Serbisë më 24 shtator dhe duhet të sigurohemi që ajo të mos përsëritet ashtu që të sigurojmë atmosferën për një dialog si mënyra e vetme e zgjidhjes së problemeve”, ka thënë Kryeziu.
Kërkesën për sanksione e kanë përsëritur edhe në Presidencë. Këtë e ka bërë Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, tek ka komentuar deklaratën e ministrit serb Nikola Selakoviq se ushtarëve të vdekur në luftërat e viteve ’90 do t’u ndërtohen monumente.
“E gjithë bota e qytetëruar u tmerrua nga luftërat e Serbisë në Bosnjë, Kroaci e Kosovë që lanë mbi 130,000 të vrarë dhe mbi 4 milionë të zhvendosur. Tani, Serbia i nderon ushtarët e saj që kryen këto mizori si ‘luftëra mbrojtëse’. Ky është revizionizëm i rrezikshëm historik dhe duhet të sanksionohet”, ka thënë ai.
E, zëdhënësi i Qeverisë ka akuzuar Serbinë se, më shumë se dy dekada pas luftës, ka sponsorizuar plane për aneksimin e Kosovës në kohën kur ka dialoguar në Bruksel.
Ai ka përmendur disa nga hapat që do t’i paraprijnë kthimit të Kosovës në dialog.
“Ne do të presim që të përfundojnë të gjitha hetimet e Policisë së Kosovës që po zhvillohen atje, ashtu që të dokumentojmë gjithçka që ka ndodhur, të dokumentojmë edhe më shumë lidhjen e Serbisë prapa këtij sulmi. Do të diskutojmë me të gjitha palët e përfshira në mënyrë që ta gjejmë formulën për të ecur përpara. Por ajo që ka ndodhur më 24 shtator ka ndryshuar shumëçka dhe ne nuk mund të sillemi, të flasim sikurse nuk ka ndodhur e të vazhdojmë siç ka qenë”, ka thënë Kryeziu.
Përkundër që autoritetet e Kosovës kanë publikuar dëshmi për përfshirjen e Serbisë në sulmin e Banjskës, në të cilin është vrarë një polic, ndërkombëtarët nuk kanë vënë sanksione ndaj saj dhe kanë kërkuar që dialogu të vazhdojë.