Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka kërkuar nga bizneset që të respektojnë vendimmarrjen e nivelit qendror për mos rritjen e çmimeve të produkteve, derisa qytetarëve u ka bërë thirrje që në raste të tilla ti kontaktojnë autoritetet përkatëse.
Sipas komunikatës së kësaj komune, Latifi bashkë me Komandantin e Stacionit Policor në Rahovec, Fazli Morina, drejtorin e Inspektoratit komunal Besnik Hotin dhe drejtorin për Mbrojtje dhe Shpëtim Hasan Përboqin, kanë vizituar disa qendra tregtare që operojnë në Komunën e Rahovecit, për t’u interesuar në lidhje me menaxhimin dhe mbarëvajtjen e masave mbrojtëse të punonjësve si dhe mbi gjendjen e furnizimeve me artikujt themelorë.
“Me këtë rast, falënderoj të gjitha bizneset për bashkëpunimin e tyre në menaxhimin e kësaj situate dhe i lus që të respektojnë vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mos rritjen e çmimeve të produkteve, pa pasur nevojë të marrin masa ndëshkuese nga Inspektorati komunal të cilët do të jenë vazhdimisht në terren për të përcjellur situatën”, ka thënë Latifi.
Kreu i komunës nga menaxherët e këtyre bizneseve ka kërkuar që në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme t’i bashkohen Shtabit të Posaçëm Emergjent në Komunën e Rahovecit, “në mënyrë që të gjithë së bashku dhe me solidaritet e bashkëpunim t’ju dalim në ndihmë edhe familjeve në nevojë për furnizimin e tyre me artikuj themelorë”.
“Gjithashtu, Inspektorati Komunal po vazhdon me vizitat në qendrat tregtare, biznese për të verifikuar nëse ka rritje artificiale të çmimeve. Deri më tani Inspektorati nuk ka hasur në raste të tilla por që inspektimet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim. Apeloj te qytetarët që në raste kur hasin në ngritje artificiale të çmimeve të kontaktojnë në linjat e ATK-së në numrin: 080080800”, ka deklaruar Latifi.
-
Kryetari i Rahovecit për vërshimet e sotme: Instituti Hidrometeorologjik ka dështuar
-
Latifi kërkon mbështetjen e elektoratit të PDK-së dhe LDK-së në Rahovec
-
Latifi rendit premtimet në shëndetësi: Do ta punësojmë çdo mjek të diplomuar të Komunës së Rahovecit
-
Latifi: S’është e ndershme që buxheti i Komunës të kthehet në lojë fushate
-
Latifi: Rahoveci s’është nën “radarin” e mbështetjes nga Qeveria