Një delegacion nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), i kryesuar nga kryesuesi Nehat Idrizi me disa nga bashkëpunëtorët e tij, Muhamet Rexha, Nenad Llaziq, Manushe Karaqi dhe Aishe Qorraj - Berisha kanë qëndruar sot në një vizitë zyrtare në Mal të Zi.
Kjo vizitë po realizohet me ftesë të kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Malit të Zi, dr. Mlladen Vukçeviq, qartëson njoftimi për media.
Gjatë këtij takimi, dr. Mlladen Vukçeviq i njoftoi mysafirët me sfidat nëpër të cilat përballet sistemi gjyqësor malazez. Në veçanti ai foli për pavarësinë e gjyqësorit malazez, disiplinimin e gjyqtarëve si dhe ngritjen profesionale të tyre me anë të trajnimeve me qëllim të mundësisë sa më të shpejtë të integrimit evropian për tërë sistemin e drejtësisë në Mal të Zi.
Në anën tjetër, kryesuesi Idrizi ka bërë me dije se sfidat për sistemin gjyqësor në Kosovë që nga paslufta kanë qenë të mëdha, por sfidues ka qenë procesi i reformës gjyqësore, i cili është i lidhur me shumë çështje të cilat prekin sistemin gjyqësor kosovar, si organizimi, pavarësia, paanshmëria, profesionalizmi, efiçenca, transparenca e sistemit si dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore për realizimin e të drejtave themelore të individit.
Ndonëse kuadri aktual ligjor i sistemit gjyqësor garanton në një masë të konsiderueshme pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqtarëve, në praktikë janë konstatuar probleme serioze të ndikueshmërisë politike dhe financiare të gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës, citohet në njoftim Idrizi. Gjithashtu, edhe nga pikëpamja profesionale sistemi ynë ka nevojë për rritje të standardit profesional krahas vendeve të BE-së. Tani jemi në fazën e ndryshimeve legjislative, përfshirë këtu Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe pakon e ligjeve për sistemin gjyqësor dhe prokurorial, shtoi Idrizi.
Të dyja palët shprehën gatishmërinë për shkëmbimin e përvojave në mes të dy institucioneve dhe vazhdimin e bashkëpunimit rajonal, me theks të veçantë në fushën e drejtësisë, përfshirë këtu sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar të cilat do të mbeten prioritet për të dyja shtetet në integrimin evropian.
Edhe
Këshillat gjyqësore të Kosovës e Malit të Zi merren vesh për shkëmbim përvojash
Delegacioni i KGjK-së vizitoi edhe Prokurorinë e Lartë të Shtetit të Malit të Zi / Këshillin Prokurorial, të cilët u pritën nga Ivica Stankoviq, prokuror i lartë i Shtetit me bashkëpunëtorë.
Gjatë ditës, delegacioni nga Kosova u prit edhe nga kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq dhe Zhelko Aprçoviq, kryetar i Komisionit Parlamentar për Sistemin Politik, Drejtësi dhe Administratë Publike, pastaj nga Vesna Medenica, kryetare e Gjykatës Supreme, dhe në fund vizita u përfundua në Qendrën për Trajnimin e Prokurorisë dhe Gjyqësorit të pritur nga Senka Danilloviq, kryetare e Komitetit Drejtues të Qendrës.
{gallery}