Edhe pse thotë se përgjigja më e mirë për “non-paperat” për dialogun me Serbinë është “no comment”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk do të lejojë ringjalljen e projekteve për shkëmbim territorial e as atyre për bosnjëzim të vendit.
Nga Brukseli, ku është për vizitë dy ditore për takime me krerë të Bashkimit Evropian, Kurti ka thënë se Kosova s’ka dilema për çështjen e dialogut me Serbinë.
“Unë besoj që të gjithë këtyre ‘non-paerave’ më së miri është t’u përgjigjemi me ‘No Comment’ sepse përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë, ndërkohë që nuk dihet autori e as synimet, por pasojat nuk mund të jenë të mira. Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial e as të atyre për bosnjëzimin e Kosovës. Kosova nuk e ka shpallur pavarësinë para një viti, por para 13 vjetëve. 4 vitet e para pas shpalljes së pavarësisë ishte pavarësi e mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Duhet të shkojmë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Kosova nuk ka dilema. BE-ja dhe NATO-ja janë edhe vlera, edhe destinimi ynë. Por në të njëjtën kohë raportet në Ballkan do të mund t’i rregullojmë me dialog parimor e të përgatitur mirë, ku Kosova është palë e jo temë dhe gjithashtu me barazi qysh në pikënisje. Jemi të bindur se vetëm dialogu ku qytetarët janë përfitues është dialog i vërtetë dhe i dobishëm që sjell marrëveshje të qëndrueshme dhe zbatueshme dhe jo mënyrat e vjetra ku preokupimi është si t’i shpëtohet lëkura një politikani apo tjetri”, ka deklaruar ai para gazetarëve.