Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryeministri ka tema tjera, nesër për dorëheqjet në veri

Asnjë fjalë të vetme nuk e ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave të veriut të Kosovës, raporton KTV .

“Sot jam me tema të tjera, nesër, nesër nëse bën”, është shprehur Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka thënë se dorëheqja e katër kryetarëve të komunave veriore të Kosovës është një vendim i ngutur dhe i dëmshëm për qytetarët e këtyre komunave si dhe për klimën e marrëdhënieve mes komuniteteve në Kosovë.

“Ftoj të gjithë qytetarët e veriut për vetëpërmbajtje, për një reagim të qetë dhe të ekuilibruar ndaj situatës së krijuar ditëve të fundit. Republika e Kosovës është e angazhuar që të respektojë të drejtat dhe interesat e çdo shtetasi të saj, prandaj problemet duhet të zgjidhen në mënyrë të matur dhe vetëm nëpërmjet rrugëve politike dhe dialogut”, ka thënë Veseli.

Për zhvillimet e fundit në veri të vendit, ka reaguar edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa. Ai ka kërkuar që për këtë, të mblidhet qeveria dhe Kuvendi.

“Veprimet e sotme të serbëve në veri të vendit, dorëheqjet e kryetarëve të katër komunave dhe Rezoluta për të ndërprerë komunikimin me “Prishtinën”, siç shprehen ata, janë sinjal i qartë se kah po shkon vendi. Qeveritarët tanë nuk janë për të bërë figura me duar por për t’u kujdesur për funksionimin kushtetues të vendit, sa nuk është bërë vonë”, ka thënë Mustafa.

Edhe Haradinajt s’i bëhet vonë, thotë se nesër do të flasë për dorëheqjet në veri Arbëri Haradinajt s’i bëhet vonë, thotë se nesër do të flasë për dorëheqjet në veri

Deputetë të pozitës dhe opozitës kanë kërkuar nga Qeveria që të ketë një plan veprimi pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave të veriut. Ata e kanë konsideruar situatën në veri si të jashtëzakonshme.

Dorëheqja e kryetarëve serbë të komunave të veriut të Kosovës, ka ardhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe.