Qeveria e Kosovës i konsideron të diskutueshme për kah ana ligjore, dorëheqjet e katër kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, por nuk ka marrë ende vendim përfundimtar për hapat e ardhshëm.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë për Radion Evropa e Lirë se mënyra se si kryetarët e këtyre komunave u janë drejtuar institucioneve dhe forma se si e kanë ofruar dorëheqjen, mbetet çështje e diskutueshme.
Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, thotë se ende nuk ka një vendim të prerë në lidhje me këto dorëheqje. Problemi kryesor thuhet se qëndron te përdormi i termit “Kosovë e Metohi”, në dorëheqjet e kryetarëve nga Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku e Leposaviqi. Një term i tillë nuk haset në Kushtetutën dhe ligjet e zbatueshme në Kosovë.
"Ende nuk është vendosur asgjë për këtë rast. Mënyra se si kryetarët e komunave veriore e kanë paraqitur dorëheqjen e tyre në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka qenë mënyrë jo e rregullt në kuptimin se adresimi ka qenë jo i saktë. Në këtë fazë ende nuk është ndërmarrë ndonjë veprim. Gjithsesi si të tilla, ato dorëheqje nuk mund të jenë të pranueshme për autoritetet e Kosovës, sepse ato nuk i drejtohen konkretisht Qeverisë së Republikës së Kosovës", thotë Gashi.
Edhe Departamenti ligjor i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të Qeverisë së Kosovës, ende nuk ka dhënë ndonjë vlerësim ligjor mbi ligjshmërinë e dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, pavarësisht që të gjitha afatet ligjore që nga koha kur janë dorëzuar dorëheqjet në formë elektronike në Ministrinë përkatëse, tashmë kanë skaduar.
-
Komunat pa kryetarë – dorëheqja e serbëve krijoi situatë të vështirë për institucionet e Kosovës
-
KQZ-ja i drejton te kuvendet komunale hartuesit e kërkesave për shkarkim të kryetarëve në veri
-
Veriu pa kryetarë - “Nuk i forcojmë institucionet e shtetit të panjohur”
-
Katër komunat veriore shkojnë në zgjedhje
-
‘Iluzioni’ i funksionimit të komunave veriore