Arbëri

Kryeministri bën thirrje për luftimin e diskriminimit ndaj komunitetit rom

Në kuadër të javës së aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, kryeministri Albin Kurti me bashkëpunëtorë ka vizituar organizatën më të vjetër rome “Durmish Asllano”, me ç’rast ka theksuar se Qeveria ka gatishmëri për t’i përkrahur të gjitha komunitetet. Në të njëjtën kohë ka bërë thirrje për luftimin e paragjykimeve dhe të diskriminimit ndaj komunitetit rom

Në prag të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar organizatën joqeveritare rome “Durmish Asllano” në Prizren, prej nga ka drejtuar thirrjen për luftimin e diskriminimit, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Ndërkohë, aktivistët romë kanë pohuar se diskriminimi ndaj këtij komuniteti është i pranishëm, por se, megjithatë, ka shpresë për përmirësimin e gjendjes aktuale.

Kurti me bashkëpunëtorë janë njoftuar lidhur me aktivitetin mbi pesëdhjetëvjeçar të kësaj organizate. Ai ka theksuar se ky angazhim është dëshmi që gjuha rome është një gjuhë e gjallë, e cila është edhe gjuhë e artit, poezisë e teatrit. Ai ka theksuar se bazuar në Kushtetutë e në ligje, të drejtat e komuniteteve janë të avancuara, por se duhet ende punë për përmirësimin e jetesës së tyre.

realiteti jetësor, sidomos ai social, tregon se ne duhet të bëjmë shumë punë që jetën e përditshme ta kemi sikurse tekstin nëpër dokumentet e institucioneve të shtetit tonë. Pra, duhet ta luftojmë paragjykimin, duhet ta luftojmë stigmatizimin, duhet ta luftojmë diskriminimin dhe Qeveria jonë që beson në të drejtat e njeriut, beson në demokraci, është një garanci për këtë”, ka thënë Kurti.

Aktivistët romë e kanë njoftuar kryeministrin me aktivitetet e realizuara në drejtim të përmirësimit të pozitës së komunitetit rom në Prizren dhe në Kosovë, sikurse edhe me sfidat me të cilat ballafaqohen në jetesën e përditshme, që, sipas tyre, janë të ngjashme me ato të komuniteteve të tjera. Por, sipas drejtorit ekzekutiv të OJQ-së “Durmish Asllano”, Fatmir Menekshe, komuniteti rom është më i shtypur shkaku i diskriminimit.

"Problemet për secilin komunitet janë njësoj, punësimi apo varfëria apo kushtet socioekonomike, nuk është një problem që e determinon një komunitet. Por normalisht komuniteti rom është pak më i shtypur për arsye se diskriminohet në secilën sferë. Por kur flasim për shpresë, normalisht ne jemi shpresa”, ka deklaruar Menekshe.

Dita Ndërkombëtare e Romëve shënohet më 8 prill, pasi që në këtë datë është mbajtur Kongresi i Parë Botëror i Romëve në vitin 1971. Në këtë ditë, kremtohen kultura, historia dhe gjuha rome.