Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KRU “Prishtina”: Nga sot, s’ka ujë të pijshëm pa paguar faturat

Foto ilustrim

Kompania Rajonale e Ujësjellësit, “Prishtina”, ka paralajmëruar se nga e mërkura [sot] do të nisë me shkyçje të mëdha, ndërsa ka thënë se nuk do të ketë ujë të pijshëm për ata që nuk paguajnë faturat.

Përmes një postimi në Facebook, KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se furnizimi me ujë të pijshëm po rrezikohet gjithnjë e më shumë edhe nga kyçjet e paautorizuara.

“Besoni ose jo, furnizimi me ujë të pijshëm po rrezikohet gjithnjë e më shumë nga kyçjet e paautorizuara, nga ata konsumatorë që furnizohen me ujë duke shfrytëzuar alternativa ilegale. Andaj, sot e tutje do jemi pa kompromis ndaj atyre që me vjet marrin ujë pa paguar për shërbime të ujit, e aq më keq kur sot kemi blloqe banesore që as nuk janë regjistruar edhe pas dhjetëra vërejtjeve që u kemi bërë”, ka shkruar kompania në Facebook.

Kanë paralajmëruar se s’do të ketë tolerime për konsumatorët e kyçur ilegalisht në sistem publik të ujësjellësit, por edhe për ata që s’kanë paguar faturat.

“Sot realizohen dy shkyçje të mëdha. Nuk ka ujë të pijshëm, pa paguar faturat e ujit dhe as për ata që kanë shfrytëzuar alternativa ilegale. Nga sot, në aksion të paparë deri më sot”, ka shkruar më tej kompania.