Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka deklaruar se qytetarët që furnizohen nga kjo kompani nuk kanë nevojë të shqetësohen pasi gjendja e ujit është si duhet.
Përmes një reagimi në Facebook, KRU “Gjakova” shkruan se këtë njoftim po e bëjnë pas dyshimeve për kontaminim të ujit të pijes në Komunën e Deçanit.
“E kemi obligim moral që të sqarojmë konsumatorët të cilët furnizohen nga rrjeti i ujësjellësit të KRU ''Gjakova'', duke i informuar që nuk ka vend për shqetësime, sepse trajtimi i ujit për pije që furnizon konsumatorët e KRU ''Gjakova”, bëhet sipas proceseve teknologjike për trajtim, në Impiantin e Trajtimit të ujit për pije gjegjësisht në Stacionin e Filtrimit”, thuhet në njoftim.
Sipas KRU-së, cilësia e ujit monitorohet gjatë 24 orëve, duke iu nënshtruar testeve mikrobiologjike dhe fiziko-kimike nga laboratorët e duhur.