Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Hoxhaj: Demokracia është në pikëpyetje, vetëm PDK-ja mund ta dërgojë Kosovën përpara

Bartësi i listës së PDK-së, Enver Haxhaj, ka thënë se demokracia është në pikëpyetje dhe se vetëm PDK-ja mund ta dërgojë Kosovën përpara. Hoxhaj, i cili është edhe kandidat për kryeministër, tha se shumë persona kanë menduar që PDK-ja do të shuhet dhe do të mbyllet si parti, porse, sipas tij, ajo ka rilindur dhe është bërë më e fortë. Edhe në këtë tubim vota u kërkua në emër të Hashim Thaçit e Kadri Veselit

Pejë, 11 shkurt - Përveç kartëvizitës me numrin e deputetëve të vendosur në disa tavolina, lapsat e shkrepëset ishin dhurata që u shpërndaheshin të pranishmëve në tubimin e PDK-së në Pejë. As aty nuk munguan veshjet me mbishkrimin “Liria ka emër” dhe UÇK.

Simpatizantët e PDK-së dolën në oborrin e restorantit ku po mbahej tubimi, që ta prisnin liderin e tyre, Enver Hoxhaj. E kandidati për kryeministër i kësaj partie hoqi setrën me një qëllim, të cilin e zbuloi gjatë fjalimit të tij.

“Unë po dal në këmishë se po fitojmë fort e të tjerëve po ju vjen zheg. Kudo PDK, prej Mitrovicës, Prishtinës e deri në Prizren po prin në nivel vendi. Edhe në ditën e zgjedhjeve të jepni maksimumin që mbështetja juaj të jetë sa më i madh për PDK”, tha Hoxhaj.

Nga Peja ai u kujdes që të kritikojë listën e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se në këto zgjedhje është në pikëpyetje demokracia e vendit.

“Zgjedhjet janë historike, që mbahen të dielën, a do të jemi vend demokratik apo një vend autoritar. Demokracia është pikëpyetje dhe tregu është në pikëpyetje. Mendimi ndryshe është në pikëpyetje. Nuk mundet me qenë kryeministër dikush, i cili nuk ka të drejtë të jetë në listë as për deputet”, u shpreh bartësi i listës së PDK-së.

Të pranishmëve votën për PDK-në ua kërkuan edhe Hajredin Kuqi e Xhavit Haliti.

Kuqi, i cili nuk është në garë për deputet në këto zgjedhje, tha se Peja është bashkë me dy ish-liderët e kësaj partie që gjenden në Hagë.

“Ju jeni mësuar me ardhë me Hashim Thaçin e Kadri Veselin dhe jemi mësuar që ne të jemi krah tyre. Hashimi, Kadriu e PDK-ja janë me Pejën. Unë dua t’ iu them Hashim Thaçit e Kadri Veselit që Peja është me ta. Kosova ka qenë më e fortë kur kanë qenë këtu. Kosova u lëndua e PDK-ja u lëndua pa ta”, u shpreh Kuqi.

E Xhavit Haliti, i cili është kandidat për deputet e kryetar i Degës së PDK-së në Pejë, tha se nuk mund t’ua lëmë Kosovën njerëzve me ngjyrë të kuqe.

“Po më impresionon se keni ardhur për të na dhënë mbështetje neve njerëzve tuaj që të fitojë PDK-ja. Ne nuk mund ta lëmë Kosovën në duart e njerëzve të kuq. Kosova do të jetë e udhëhequr nga PDK-ja”, u shpreh Haliti.

Partia Demokratike e Kosovës gjatë të enjtes ka zhvilluar fushatë edhe në Istog. Para qytetarëve të Istogut Enver Hoxhaj ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes. Hoxhaj ka thënë se vetëm platforma e PDK-së mundëson krijimin e një qeverie që ofron zhvillim ekonomik.

"Nëse duan ta kenë një qeveri për 4 vjet, ta kenë një qeveri që ofron zhvillim, që ofron punësim, që krijon vende të reja të punës, që ofron arsim cilësor, që ofron shëndetësi në një kohë të pandemisë, kjo është e mundur vetëm me një parti, e cila është Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë ai, duke premtuar rritje rrogash për të gjithë sektorët.

Hoxhaj ka theksuar edhe një herë se planifikojnë që 70 për qind e popullatës do të vaksinohet brenda këtij viti.

"30 qendra të vaksinimit të popullatës, se ky është një shqetësim serioz dhe nuk ka njeri i cili është më i besueshëm, më kredibil për ta sjellë vaksinën sesa unë. Po të isha kryeministër moti një pjesë e popullatës do të kishte vaksinë në Republikën e Kosovës", tha ai.

PDK-ja këtë të mërkurë ka mbajtur takim elektoral edhe në qytetin e Mitrovicës.