Arbëri

Kronika zgjedhore / Hoxhaj përqendrohet te VV-ja, e quan “model të errët të qeverisjes”

Me 30 minuta vonesë ka nisur tubimi i Partisë Demokratike të Kosovës në Lubizhdë të Prizrenit. Në një sallë dasmash, përplot me simpatizantë të kësaj partie, për herë të parë është parë edhe flamuri i Kosovës në mesin e flamujve të Shqipërisë e të PDK-së. Edhe në këtë tubim është transmetuar videoja e njëjtë si në tubimet e kaluara, që përmban sekuenca të pjesëtarëve të UÇK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veselit, e titulluar “Një histori dashurie për Kosovën”.

Kjo, pa dyshim se e ka elekrizuar turmën, e cila brohoriste pandërprerë emrat e ish-liderëve të PDK-së, që gjenden në Hagë.

Kreu i PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, ka ftuar elektoratin e pranishëm që të dalin dhe ta votojnë këtë parti më 14 shkurt.

“Prezenca e juaj masive këtu e ka vetëm një mesazh, se ne fare nuk kemi dilema se në çka po lëvizim. Po lëvizim së bashku drejt Rimëkëmbjes. Nga ju pres dhe apeloj që më 14 shkurt të dalim të votojmë e ta përkrahim programin për rimëkëmbje dhe kandidatin për kryeministër. Se kjo nuk është vetëm një fitore, Kosova do të shkojë bashkë në rrugën e çlirimit”, ka thënë Totaj.

E kandidati për kryeministër nga kjo parti, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se partia e tij është model për qeverisje, për rimëkëmbje, për rritje të pagave dhe për krijim të vendeve të punës. Hoxhaj ka premtuar rritje të pagave dhe të pensioneve.

“Veteranët do të kenë pensionin 300 euro, policët pagën 750 euro, mjekët 1500 euro”, ka precizuar ai.

Para elektoratit prizrenas, Hoxhaj ka thënë se qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë është “qeverisje e keqe”, duke kritikuar kryetarin Mytaher Haskuka.

“Në këto zgjedhje ka dy modele, një model është rimëkëmbja e që është aleancë politike me qytetarin, dhe një model tjetër, modeli i Vetëvendosjes i cili është model autoritar i shamijave të kuqe, është model i keqqeverisjes në nivel lokal. Haskuka nuk ka qenë në gjendje as ta heqë bërllogun e lëre me të qeverisë, ai s’ka qenë në gjendje as qentë endacakë t’i largojë nga rruga, prandaj dy modele janë në këto zgjedhje. Po shihni që kryetarët e komunave i fyejnë, i shajnë e ofendojnë qytetarët e Kosovës dhe e keni modelin e Partisë Demokratike, modeli i rimëkëmbjes që nënkupton rritje të pagave, krijim të vendeve të punës”, ka thënë Hoxhaj.

Bartësi i listës së PDK-së, duke kërkuar edhe një herë votën në krah të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se PDK-ja është përballur me padrejtësi që nga 5 nëntori, kur ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, ishin ftuar nga Gjykata Speciale.

“Unë po shoh këtu përveç kandidatëve të veçantë edhe veteranë të luftës, e ish të burgosur politikë, po shoh deputetë, ish-deputetë e ministra. Kjo tregon që PDK-ja është parti me rrënjë të thella dhe kushdo që bën përpjekje ta rrëzojë, është e kotë”, ka thënë tutje Hoxhaj.

E teksa prezantoheshin kandidatët për deputetë të Komunës së Prizrenit, aty erdhën dy tupanxhinj. Mysafirët e këtij tubimi u përcollën me tupana nga salla.

Partia Demokratike e Kosovës, fushatën elektorale gjatë së martës e ka vazhduar edhe në Komunën e Malishevës. Hoxhaj nga Malisheva ka thënë se kjo komunë ka vendosur të “votojë për një perspektivë më të mirë dhe për një ekonomi më të zhvilluar”.