Vushtrria e Podujeva janë komunat në të cilat Partia Demokratike e Kosovës e ka përmbyllur fushatën. Bartësi i listës së PDK-së, Enver Hoxhaj, i ka ftuar qytetarët që të mos u besojnë partive që më parë i kanë mashtruar me koalicion e që e kanë quajtur të shpresës. Edhe në ditën e fundit PDK-ja nuk la pa bërë fushatë me Thaçin e Veselin
Vushtrri, 12 shkurt - Këngë kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i shoqëronin qytetarët e mbledhur të premten, për tubimin në Vushtrri, të Partisë Demokratike të Kosovës. Vonesën e Enver Hoxhajt, kandidatit për kryeministër të kësaj partie, ata e shfrytëzuan për festë. E me t’u marrë vesh se Hoxhaj po hynte brenda, brohoritjet u bënë edhe më të zëshme.
Përveç “Rimëkëmbje” e “UÇK”, mbishkrime këto që kanë shoqëruar vazhdimisht tubimet e kësaj partie, të pranishmit në Shtëpinë e Kulturës në Vushtrri në duar mbanin edhe një tjetër mbishkrim. “Krenohu me Kosovën e pavarur”, shkruante pranë një fotografie të Hashim Thaçit.
I pari që iu drejtua atyre me fjalim ishte kryetari i Degës së PDK-së në Vushtrri, Kurtan Kajtazi. Ai e quajti të rëndë gjendjen aktuale në vend.
“Kosova nuk ka qenë asnjëherë në gjendje më të rëndë. Sot, presidenti i vendit është kandidat për deputet, kryeministri ushtrues detyre... Kush e solli këtë, e solli ky ‘koalicion i shpresës’ që i thyen shpresat e qytetarëve. Ju ftoj ta mbani ketë temp të angazhimit. Të mobilizohemi sa më shumë për fitore dhe të jetë një rikthim dhe rimëkëmbje”, ka thënë ai.
I bindur në fitore të madhe është shprehur gjatë këtij tubimi Hoxhaj, duke thënë se goditja që iu dha PDK-së me arrestimet e ish-liderëve, është kthyer në mbështetje të re politike.
“Fitorja do të jetë e madhe, sikur që presin shokët tanë që padrejtësisht nuk janë këtu. Çdokush ka menduar që pas 5 nëntorit, kur PDK-ja e pësoi një goditje të madhe që erdhi nga Gjykata Speciale, ne si PDK do dorëzohemi. Një parti që është themeluar prej të burgosurve politikë, nuk e ngrit flamurin e bardhë të dorëzohet”, ka porositur ai.
Bartësi i listës së kësaj partie po ashtu ka premtuar rritje pagash e vaksinim ndaj koronavirusit të qytetarëve. Edhe këtë radhë, një pjesë e fjalimit të tij ka pasur në fokus kritikat ndaj qeverisjeve të mëparshme.
“Ata që në vjeshtë e kanë votuar ‘koalicionin e shpresës’ që ka qenë ‘koalicion i mashtrimit’, për të tjerët do keni qeveri 50 ditë, që dikur keni parë. Ne do bëjmë atë që çdo herë PDK-ja ka bërë. Do e ngrisim rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës, për shkak se pandemia e ka goditur me të madhe ekonominë, dhe qytetarët po varfërohen”, ka thënë ai.
Simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës, pas përfundimit të tubimit, marshuan në sheshin e këtij qyteti. Hoxhaj nuk iu bashkëngjit atyre, edhe pse e ftuan.
Kandidati për deputet, i cili është nga kjo komunë, Menduh Abazi, ka folur për simbolikën e këtij marshi.
“Është një simbolikë e forcës sonë politike, ne Partia Demokratike jemi partia e parë në vend, do të dalim fitues, nuk ka asnjë pikë dyshimi aty”, ka thënë ai.