Redaktori i Grupit KOHA dhe autori i Emisionit “DESKU” në KTV, Besnik Krasniqi, ka thënë se burimet në Qeverinë e Kosovës, e patën përgënjeshtruar një dokument që pretendohej se ishte vendim i Qeverisë për ndalimin e ndërtimit të spitaleve afër Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Në emisionin EDUMEDIA, ai ka treguar se në vitin 2009 në media qarkullonte një dokument i rremë i Qeverisë që pretendohej se ishte vendim qeveritar, ku pohohej se qeveria respekton vendimin paraprak për mos-lejim të ndërtimit të spitaleve në rreze prej një kilometri larg QKUK-së.
“Nga vendimi që thoshte se e shfuqizon vendimin, pra e shfuqizon atë ndalesën për spitale private, na doli një vendim i rremë në media që thoshte që Qeveria kinse po e i respektuaka vendimet paraprake. Pra forma të këtilla me impakt në Kosovë dhe përbëjnë vërtetë problem, por çfarë i mbetet gazetarit është të verifikojë fakte. Ç’është e vërteta, ne hymë në arkivën e Qeverisë në atë kohë dhe nuk e gjetëm këtë vendim…vendimin origjinal. Çfarë mbeti? Duhej të siguroheshin burim që, në njëfarë forme, të themi në thonjëza ta kontrabandonin vendimin e vërtetë meqë ishin dy vendime krejt kontradiktore njëri me tjetrin”, ka thënë Krasniqi.
Siç e ka treguar ai kronologjinë e ngjarjeve, në atë kohë ishte publikuar një video ku numëroheshin para, e ku akuzohej ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, për përfshirje në aferë.
“Publiku u shokua nga një video ku shiheshin disa njerëz duke numëruar mijëra euro–diku 300.000 euro dhe dikush e akuzonte kryeparlamentarin e asaj kohe z. Kadri Veseli ose i referohej atij…se atij i duhej dërguar paratë për një tokë që ishte diku në periferi të QKU-së (v.j QKUK-së) dhe çfarë ndodhi? Në atë kohë u bë lajm dhe u pa se cili kishte qenë ndikimi i politikës në vendimmarrje për lejen që duhej dhënë një spitali (v.j privat)… U publikuan dy vendime”, ka thënë Krasniqi.
Dokumentet ishin të ngjashme, ka treguar Krasniqi, madje edhe numrat e protokollit i kishin të njëjta, mirëpo ishin të kundërta në përmbajtje.
“KOHA e publikoi një vendim të datës 25.06.2009 ku Qeveria Thaçi kishte shfuqizuar një vendim paraprak që thoshte se në rrezen prej një kilometri diku nuk mund të ndërtoheshin spitale private. Dhe kemi edhe një dokument thuajse të ngjashëm. Është data e njëjtë, është numri i protokollit i njëjtë dhe thotë “Qeveria e Republikës së Kosovës respekton” vendimet paraprake, që ky ishte në një farë forme një dokument shfajësues për qeverinë pra… Kur dolën paratë… tash nuk e di nëse Qeveria e ka sponsorizuar këtë informatë ose këtë dezinformatë që u publikua në media, por dokumenti doli”, është shprehur Krasniqi.