Arbëri

Krasniqi kritikon institucionet: Investitorët e diasporës po trajtohen njëjtë si të huajt

lirim

Lirim Krasniqi, bashkëdrejtues i organizatës “Germin”, ka  thënë se remitencat janë vazhdimisht në rritje. Sipas tij, kjo tregon se kontributi i diasporës karshi Kosovës ka një trajektore të qëndrueshme sa i përket aspektit financiar.

 Ai ka deklaruar se ndër vite bashkatdhetarët kanë kontribuuar në  shumë fusha.

“Ne flasim për kthimin e tyre por dikush nga diaspora që p.sh mund të jetë duke jetuar në Berlin, është më i vlefshëm se dikush që mund të jetë duke jetuar  në Prishtinë. Kjo sepse, ai/ajo në Berlin ka një rrjet të jashtëzakonshëm dhe mund të hapë shumë dyer”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se janë disa sektorë që falë dyerve që ka hapur diaspora kanë pasur një zhvillim në eksport. Një nga ta, sipas tij, është sektori i prodhimit dhe përpunimit të drurit që eksporton mbi 300 milionë euro në vit.

Krasniqi ka thënë se kjo ndodhë për shkak se bashkatdhetarët ndërtojnë ura bashkëpunimi.

Ai ka kritikuar  institucionet e vendit që nuk kanë arritur të krijojnë qasje preferenciale karshi investitorëve të diasporës.

“Një investitor  i diasporës trajtohet njësoj si një investitor i huaj me parimin e barazisë. Por ata nuk janë të njëjtë sepse një investitor nga diaspora nuk e ka primare profitin”, ka thënë ai.