Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi: Jemi në prag të një vale tjetër të COVID-19, gjendja po rëndohet

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se gjendja me COVID-19 po rëndohet ditët e fundit, ndërsa nuk mohon mundësinë që Kosova të jetë në prag të një vale tjetër me koronavirus.

“Gjatë këtyre ditëve, sidomos nga mesi i javës së kaluar, kemi pasur trend në rritje të rasteve të të infektuarve dhe është përcjellë edhe me rritje te rasteve të atyre që kërkojnë trajtim spitalor. Gjatë janarit dhe shkurtit kemi pasë situatë të qetë dhe të menaxhueshme, por tash, sidomos këtë javë kemi hyrë në fazë me trend në rritje të numrit të infektuarve”, tha ai.

Krasniqi tha se krahasuar me dy muajt paraprak kur numri i të hospitalizuarve nga COVID-19 ishte rreth 460, tash thotë se ka shkuar në 573 për tri ditë. Shton se është rritur edhe numri i rasteve i të infektuarve.

“Nëse krahasojmë me numrin e të hospitalizuarve, pothuajse gjatë këtyre dy muajve kishim mesatarisht rreth 500 pacientë të shtrirë nëpër klinikat tona, ndërkohë këto tri ditët e fundit është rritur në 573. Për dy-tri ditët e fundit kemi 60-70 pacientë të shtrirë krahasuar me muajt e parë, që i bie rreth 15 për qind në rritje”, tha ai.

Pikërisht këto, thotë Krasniqi, janë indikatorë se Kosova mund të përjetojë një valë të re.

Edhe Krasniqi: Pati lirim të pakontrolluar të masave, klinikat COVID-19 të mbingarkuara Arbëri Krasniqi: Pati lirim të pakontrolluar të masave, klinikat COVID-19 të mbingarkuara

Ai nuk i vë faj vetëm fushatës zgjedhore me tubimet partiake për numrin në rritjeve të rasteve, por thotë se ka edhe arsye të tjera.

“Grumbullimet gjatë fushatës njihen si super shpërndarës të virusit dhe kanë rolin e vet, por kanë ndikim edhe aktivitetet e tjera. Si duket ka filluar një humbje e përqendrimit individual dhe kolektiv ndaj pandemisë. Nuk guxojmë të shpërqendrohemi. Çdo mosrespektim i masave shkon me shpërndarje më të madhe të virusit”, tha ai.

Krasniqi tha se duhet të respektohen masat që janë në fuqi.

“Jemi në situatë të re, kur jemi në prag të një vale tjetër të mundshme. Qytetarët kanë të drejtë të jenë të zhgënjyer sjelljen e partive gjatë fushatës por nuk guxojmë të lejojmë që për arsye të ndryshme të rrezikojmë shëndetin. Duhet të respektojmë masat, patjetër e kemi kërkuar t’i respektojnë qytetarët dhe institucionet të shtojnë aktivitete për mbikëqyrjen e masave”, tha Krasniqi.

“Gjendje po rëndohet, kemi rritje të numrit të rasteve që po kërkojnë trajtim spitalor”, tha ai.


Krasniqi: Nuk presim të kemi probleme me oksigjen si vitin e kaluar

Drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se nuk pret që të ndodhin probleme me mungesë oksigjeni si vitin e kaluar te pacientët me COVID-19.

Krasniqi shtoi në “Interaktiv” të KTV-së se edhe furnizimi me barna është me sasi të mjaftueshme, përveç llojit të remdesivirit, duke iu falënderuar edhe donacioneve të shumta nga jashtë.

Edhe Krasniqi: Jemi në situatë jashtëzakonisht të rëndë, mbi 900 pacientë të hospitalizuar Arbëri Krasniqi: Jemi në situatë jashtëzakonisht të rëndë, mbi 900 pacientë të hospitalizuar

“Kemi sasi të mjaftueshme të barnave për pacientët me COVID-19, tashmë po presim edhe furnizimin me remdesivir nga Ministria e Shëndetësisë. Kemi sasi të mjaftueshme mbrojtëse edhe për personelin shëndetësor, duke iu falënderuar donacioneve të shumta. Nuk presim të kemi probleme të tjera me oksigjen si vitin e kaluar. Nuk krijohen rezerva të oksigjenit, përveç atyre vendeve që e prodhojnë. Por nuk presim të kemi probleme pasi edhe në Prizren, Gjilan, Pejë kemi rezervarë me oksigjen”, ka deklaruar Krasniqi.


Krasniqi: Nuk ka forma më të rënda të COVID-19 deri tash

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se në Kosovë nuk po vërehet ndryshim i gjendjes së pacientëve të infektuar me COVID-19 prej nga si kanë qenë me simptoma nga fillimi i pandemisë. Ai thotë se nuk vërehen simptoma të reja apo gjendje më e rëndë e ndryshe te pacientët që do të mund të ishin të infektuar nga një variant i ri i COVID-19.

“IKSHPK është duke punuar në atë drejtim por si klinicistë vërejmë se nuk ka ndryshim të tablosë klinike të pacientëve që kërkojnë trajtim në spital. Forma e sëmundjes nuk është se po ndryshon nga forma paraprake, prandaj është me rëndësi. Masat e parandalimit mbesin të njëjta ashtu si trajtimi si me virusin që kemi hasur në fillim”, tha ai.

“Nuk po vërejmë se ka forma më të rënda të sëmundjes deri tash”, shtoi ai.


Krasniqi: S’ka kontakte me Shqipërinë për vaksinat

Valbon Krasniqi, drejtor i SHSKUK-së, ka thënë se aktualisht autoritetet shëndetësore në vend nuk kanë kontakt me Shqipërinë rreth vaksinimit anti-COVID siç kishte premtuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Edhe Krasniqi: Po ballafaqohemi me rritje të kërkesave për trajtim të pacientëve që e kanë kaluar COVID-19 Arbëri Krasniqi: Po ballafaqohemi me rritje të kërkesave për trajtim të pacientëve që e kanë kaluar COVID-19

Rama premtimin se një pjesë të vaksinave anti-COVID Shqipëria do t’i ndajë për punonjësit shëndetësorë në Kosovë, e kishte dhënë në fillim të vitit. Kjo ende s’ka ndodhur.

“Ne si SHSKUK s’kemi pasur kontakt të tillë apo ofertë të tillë, përveç deklarimeve që kemi pa në media, megjithatë mund të ketë efektin e vet psikologjik e simbolik vaksinimi i 50 apo 100 punëtorëve shëndetësorë apo qytetarëve, por s’ka asnjë efekt në menaxhimin e pandemisë. Vetëm vaksinimi masiv mund të sigurojë përmbyllje më të shpejtë të pandemisë. Përderisa s’ka vaksinim masiv na mbetet zbatimi i masave”, ka thënë ai.