Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka kërkuar nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon që të avokojë për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Gjatë takimit me Von Cramonin të premten, Krasniqi ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk duhet të penalizohen padrejtësisht si “pasojë e papërgjegjësisë politike të qeverisë të paaftë”.
“Bashkë diskutuam për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vendin tonë, duke mos lënë anash as procesin e Integrimit evropian të Kosovës. Raportuesen von Cramon e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian në përgjithësi, por edhe ajo veçanërisht, i ka dhënë procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
BE njoftoi në korrik 2023 për masat ndëshkuese ndaj Qeverisë së Kosovës, për shkak se nuk janë ndërmarrë veprime për uljen e tensioneve në veri. BE-ja ka pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe Kosova po ashtu nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë, përveç atyre që kanë të bëjnë me dialogun.
Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të programit IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WIBF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor.
Sipas BE-së, për këto masa Qeveria është njoftuar më 28 qershor. Masat janë të revokueshme në varësi të zhvillimeve dhe vendimeve të kryeministrit Kurti.
Edhe
Krasniqi i kërkon Lajçakut të luajë rol ndihmues në heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës
Ky i fundit masat e BE-së për Kosovën i ka quajtur të padrejta, duke thënë se "Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit”.
Tensionet në veri nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe, nën përcjelljen e policisë hynë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë protestuan duke mos njohur kryetarët shqiptarë në komunat e tyre. BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar veprime nga Qeveria e Kosovës, duke filluar me zgjedhjet e reja në katër komunat veriore.