Arbëri

Hamza i kërkon Von der Leyenit heqjen e masave ndaj Kosovës

Bedri Hamza

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Bedri Hamza, ka njoftuar se i është drejtuar me një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe institucioneve të BE-së, me të cilën ka kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës. 

“Si kryetar i PDK-së dhe kryeministër i ardhshëm, i jam drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe institucioneve të BE-së, duke kërkuar heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave ndaj Kosovës”, ka shkruar Hamza në Facebook. 

Ai ka vlerësuar se është koha për një kapitull të ri në raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Kosova ka kaluar një vit me zgjedhje të njëpasnjëshme, por ne kemi dëshmuar pjekuri të lartë demokratike. Qytetarët tanë, ndër më proevropianët në rajon, nuk duhet të ndëshkohen për shkak të një qeverie të papërgjegjshme. Masat aktuale të BE-së janë të pajustifikueshme dhe po e dëmtojnë vendin në një periudhë kur kemi nevojë për zhvillim ekonomik, integrim evropian dhe stabilitet politik”, ka shkruar Hamza. 

KOHA ka raportuar se Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, në takimin e fundit kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës. Në anën tjetër, “së paku 13 shtete” kanë kërkuar që ato të hiqen. Komisioni Evropian, sipas disa diplomatëve evropianë, “po fshihet prapa disa vendeve anëtare dhe po luan lojën e dyfishtë”.