Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi e pakënaqur me punën e Komisionit për Verifikimin e viktimave të dhunës seksuale

Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, është shprehur e pakënaqur me punën e Komisionit për Verifikimin e viktimave të dhunës seksuale.

Megjithëse ka thënë se Kosova konsiderohet si një prej shteteve që ka bërë më shumë për të mbijetuarit e dhunës seksuale, ka vërejtje për Komisionin.

“Kosova përdoret jashtë si një prej shteteve që ka bërë më shumë për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Por janë do pengesa. Anëtarët nuk e kanë primare punën e Komisionit. Është puna e dytë apo e tretë. Punojnë ngadalë. Është shqetësuese pak kjo puna e Komisionit, pasi janë refuzuar mbi 230 kërkesa që kanë kërkuar t’u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale. Nuk e besoj që dikush që nuk është viktimë, thotë se unë jam. Për dhunën seksuale, nuk besoj se ka dallavere. Nuk është diçka për t’u krenuar”, ka thënë ajo “Konfront” të KTV-së.

Me konstatimin e Krasniqit u pajtua edhe Selvi Izeti, psikologe në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Izeti ka thënë se Komisioni ndonjëherë u jep rëndësi kritereve të tjera dhe jo rrëfimit të ngjarjes traumatike.

“Komisioni u jep rëndësi kushteve të tjera, kërkon nëse ka pasur dëshmitarë apo dokumentet që viktimat kanë qenë te mjeku pas ngjarjes dhe jo rrëfimit të ngjarjes traumatike. Ka raste që kalohen lehtë dhe pranohen, por ka edhe raste që refuzohen”, ka thënë Izeti, duke shtuar se janë ankuar më herët për kriteret e vendosura nga Komisioni.