Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nishori kritikon Komisionin për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale: Mungon përfaqësimi gjinor

I mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Ramadan Nishori, ka kritikuar procesin e njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale dhe mungesën e përfaqësimit gjinor në komisionet që trajtojnë këto raste.

Sipas tij, për të mbijetuarit është thelbësore të ndihen të dëgjuar dhe të përkrahur në mënyrë të ndjeshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Përkrahja financiare duhet të kalohet nëpër komision ku njihet statusi, asnjë nga komisioni qeveritar nuk vjen asnjëherë të marrë pjesë në takim me ne, shkaqet ata i dinë, por u kemi bërë ftesa për t’u takuar e për ta diskutuar këtë çështje, ka shumë që u refuzohen e shkaku i refuzimit është pak problem, sepse zakonisht kur një viktimë grua del në komision, pse në komision nuk del po ashtu një grua, sepse gruaja me gruan bisedon ndryshe, burri me burrin bisedon më ndryshe. Normal që viktima në këtë rast heziton sepse nuk mund të shprehet një grua në sy të burrave dhe e kundërta, andaj po refuzohen ta marrin statusin”, ka thënë ai të hënën në emisionin “SOT” në KTV.

Ai ka rrëfyer për një jelek të veçantë që ka mbajtur për shumë vite, simbol i forcës dhe i përballjes së tij me frikën, e të cilin së fundmi e ka dhuruar për instalacionin “Thinking of you”, dedikuar të mbijetuarave të dhunës seksuale, i cili ka arritur para selisë së OKB-së. 

Nishori ka thënë se e ka dhuruar këtë jelek për t’u treguar të mbijetuarve të tjerë se frika mund të mposhtet. 

“Unë atë jelek e kam mbajtur për shumë kohë, sepse e kam pasur shumë frikë uniformën. Dhe atë e kam mbajtur për inatin tim, i kam thënë vetes se jam më i fortë se ti dhe do ta mund frikën dhe ia kam dalë me anë të këtij jeleku. E kam dhënë atë jelek për t’u treguar të mbijetuarave të tjera që është e mundur të hiqet kjo frikë”, ka thënë ai. 
Ky simbol tashmë është pjesë e instalacionit e vendosur para selisë së Kombeve të Bashkuara në New York, që ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. 

Nishori ka treguar se, përtej mbijetesës personale, shumë të mbijetuar ende hezitojnë të kërkojnë ndihmë për shkak të paragjykimeve shoqërore. 

Ai ka përmendur një rast kur një e mbijetuar mori përkrahje të fuqishme nga bashkëshorti i saj pas deklaratës së aktivistes Vasfije Krasniqi-Goodman, duke treguar se mbështetja, madje edhe e vogël, mund të bëjë diferencën.

“E kemi rastin e një të mbijetuare, ishte duke e shikuar televizorin kur Vasfija e jepte një deklaratë dhe bashkëshorti i saj ka thënë ‘Shote Galica shqiptare’ dhe në atë moment ajo i ka thënë ‘ja ku e ke Shote Galicën tënde’ dhe k pasur përkrahje të madhe nga ai”, është shprehur ai. 

Instalacioni i artistes Alketa Xhafa-Mripa sjell në fokus historitë personale dhe luftën për t’u rikthyer besimi dhe dinjiteti.