Një muaj e gjysmë pas daljes publike të të mbijetuarit të dhunës seksuale, Ramadan Nishori, edhe katër qytetarë me histori si të tijën janë lajmëruar në qendrat që merren me rehabilitimin e tyre. Nishori, në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen e Sigurinë, ka ndarë vështirësitë që ka hasur si i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës dhe ka inkurajuar edhe të tjerët që të mos hezitojnë e të kërkojnë ndihmë
Ramadan Nishori, i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, është bërë frymëzim për të tjerët që të tregojnë atë që kanë përjetuar nga forcat serbe e që tash po kërkojnë ndihmë.
Nishori, të martën ishte pjesë e panelit “Drejt Drejtësisë - Forca dhe historitë e të mbijetuarve” në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ai ka thënë se që nga paraqitja e tij publike edhe katër burra të mbijetuar janë lajmëruar.
“Unë prej 14 prillit, kur kam folur publikisht, janë lajmëruar nëpër organizata edhe 4 persona të tjerë”, ka thënë ai.
Ai ka bërë thirrje që të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale të mos hezitojnë e t`u drejtohen organizatave kompetente për të kërkuar ndihmë.
“Unë ju bëjë thirrje, çdo të mbijetuari nuk i them që menjëherë me i tregu familjes, por ma së pari ejani nëpër organizata kërkoni ndihmë dhe keni me tejkalu. Dhe kryesorja është me bo padi kundër krimit që na ka ndodhë”, ka thënë Nishori.
Vetë rrugëtimin e tij, Nishori e ka përshkruar si të vështirë. Por ka thënë se gjithçka ka ndryshuar, pasi i është adresuar Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
“Në fillim për mua ka qenë shumë vështirë derisa jam afru në organizatë. Unë s`di sa herë jam afru deri tek organizata, por nuk mujsha me marrë guxim kurrsesi me hy brenda, sepse më vinin lloj-lloj pyetjesh në kry, se më sheh dikush t’u hy në organizatë apo mundet me qëllu ndonjë i njofshëm që mundet me punu brenda aty në organizatë. Më kujtohet si sot dita e parë. Kur kam shku, kam shku i dërrmum. Para se më shku në organizatë unë për veti kam mendu shumë herë që t`i bëj keq edhe vetes, por fal psikologes, ndihmës që më kanë dhënë këta, unë sot jam këtu”, ka treguar Nishori, i mbijetuari i parë burrë që ka treguar publikisht për dhunën që ka përjetuar gjatë luftës.
Nishori ka thënë se forcën më të madhe e ka gjetur kur përjetimin e ka ndarë me gruan e tij.
“Para se me i tregu bashkëshortes, te na të mbijetumit, sidomos mbrëmja është shumë e vështirë. Se në mbrëmje të vjen një si ngufatje. Besa i kisha në gjysmë të natës, dilja prej shtëpisë, kajsha dhe u kthejsha përsëri. Dhe kur i kam tregu bashkëshortes mu hjek, e hjeka edhe një barrë bukur të rëndë prej vetit. Se më nuk kisha nevojë me ikë prej shpisë me kajt më u shfry. Por i qajshim bashkë hallet me bashkëshorten”, ka rrëfyer Nishori.
Historinë e saj, si e mbijetuar e dhunës seksuale nga lufta në Ukrainë e ka ndarë Alisa Kovalenko. Sfidë për të mbijetuarit, sipas saj, është mungesa e drejtësisë.
“Në muajt e kaluar kemi parë këtë cirkun me marrëveshjen për paqe dhe nuk përmendet drejtësia aty. Dhe pa drejtësi po e legalizojmë këtë problem dhe po e lejojmë që të shpërndahet”, ka thënë ajo.
Kovalenko ka treguar për bashkëpunimin që është në mes të organizatave të ndryshme në Ukrainë për t`iu dalë në ndihmë të mbijetuarve të dhunës seksuale. Ka deklaruar se mënyra më e mirë për të mbijetuar një traumë të tillë është me ndje solidaritet nga të tjerët.
E ukrainasve, por edhe popujve të tjerë që janë përballur apo janë ende duke u ballafaquar me luftën do t’iu shërbejë përvoja e Kosovës dhe e të mbijetuarve të saj. Sipas drejtoreshës së QKRMT-së, Feride Rushiti, intervenimi në kohë është i domosdoshëm pasi trauma bartet nëpër breza.
“Kjo natyrë e krimit nuk ka për qëllim me lëndu vetëm individin... natyra e këtij krimi ushtrohet në prezencë të familjarëve. Edhe fakti kur familjarët nuk kanë arrit me shpëtu, kur kanë reagu kanë humbë jetën, janë ndëshku, kanë qëndru si dëshmitarë, është e qartë që trauma është prezentë me të gjitha pasojat tek anëtarët e familjes”, ka thënë ajo. “Ne si shoqëri kemi qenë pak të vonuar, më duhet të them. Kanë qenë fillimisht organizatat joqeveritare që janë marrë dhe vazhdojnë të ofrojnë shërbime, njohja ligjore ka ardhë shumë vonë... më vjen mirë që Ukraina në rrethana lufte ka arritë me marrë modelin e Kosovës dhe me fillu me reparacion administrativ, mirëpo shërbimet duhet të jenë aty. Viktimat nuk kanë nevojë për para, ata kanë nevojë për rimëkëmbje emocionale, për besim, siguri, respekt dhe dinjitet dhe kjo duhet të jetë një parim kudo që ka viktima të dhunës seksuale”.
E gazetarja ukrainase e strehuar në Kosovë prej tre vjetësh, Lydmilla Makvey, ka thënë se është tronditur kur ka dëgjuar që rreth 20 mijë qytetarë llogaritet se janë dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe. Ndonëse situata, sipas saj, ndryshon me Ukrainën, nga të dhënat që kanë ofruar autoritetet, rreth 340 ukrainas kanë raportuar dhunën seksuale ndaj tyre.
“Normalisht kjo shifër është shumë më e lartë dhe e kuptojmë pse se njerëzit nuk janë gjithmonë të gatshëm që të ndajnë dhimbjen e tyre”, ka thënë ajo.
Paneli për të mbijetuarit ishte në mesin e 11 diskutimeve të tjera që u zhvilluan në kuadër të forumit, ku morën pjesë qindra të ftuar nga dhjetëra shtete.
Forumi është mbajtur për dy ditë.