Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se shprehë mbështetjen e plotë për strehimin në Kosovë të shtetasve afganë që kanë punuar me strukturat e qeverisë amerikane dhe ato të institucioneve të tjera ndërkombëtare.
Ai ka thënë se ky është obligim moral për shkak edhe të historisë së kombit në të kaluarën.
“Jo vetëm si kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës - që është një mundësi për të shprehur mirënjohjen tonë ndaj aleatëve tanë amerikanë për gjithë atë që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë për ne, por mikpritjen dhe ndihmën ndaj të huajve që janë në vështirësi ne e kemi traditë kombëtare dhe obligim moral, si një popull që ka vuajtur shumë e që kemi përfituar prej ndihmës së ardhur nga jashtë”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se pranimi i këtyre refugjatëve të luftës është një dëshmi se Kosova nuk është vetëm konsumatore ndihme, por është e gatshme që me të gjitha mundësitë e saj të japë kontributin që i takon në kuadër të solidaritetit ndërkombëtar.
Haradinaj: Kosova të jetë vullnetare në strehimin e afganëve
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova duhet të jetë vullnetare në strehimin e shtetasve afganë.
Kjo sipas tij, pasi vendi duhet të jetë pranë SHBA-së, ashtu siç ishin ata pranë Kosovë.
“Kosova të jetë vullnetare në strehimin e disidentëve afganë dhe të jetë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç ishin ata pranë nesh, kur riatdhesuam shtetasit e Kosovës nga Siria”, ka shkruar ai.