Arbëri

PDK: Qeveria të ndajë një milion euro për ukrainasit e të sigurojë strehimin e 5000 refugjatëve

Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë që të marrë masa për të siguruar, në rast nevoje, strehimin e së paku 5000 qytetarëve ukrainas të shpërngulur dhunshëm nga agresioni rus. Sipas një shkrimi në Facebook, nga kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, PDK-ja ka ftuar Qeverinë të ndajë një milion euro për popullin e Ukrainës.

Krasniqi ka thënë se në situatën aktuale Kosova duhet të rrisë angazhimin për t’u afruar me vlerat dhe me institucionet e organizatat perëndimore.

“Partia Demokratike e Kosovës e sheh emergjente nevojën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si një hap kapital drejt integrimit të mëtejmë në kuadër të këtyre vlerave. I bëjmë thirrje qeverisë që të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të përshpejtuar këtë proces, aq më tepër kur uniteti i demokracive perëndimore dhe evropiane është në shkallën më të lartë ndonjëherë, duke sjellë një moment që nuk mund të kalojë pa u shfrytëzuar për të përmbushur aspiratat tona integruese”, thuhet në shkrimin e Krasniqit.

Ndihmën prej së paku një milion eurosh, Krasniqi e ka parë si ndihmë solide në kohë të rëndë për ukrainasit. Ai ka thënë se po që se ka nevojë, Kosova duhet të jetë e gatshme për strehim të refugjatëve.

“Republika e Kosovës është produkt i forcave qytetare liridashëse që e kupton shumë mirë domethënien e një agresioni të tillë ndaj lirisë dhe demokracisë. Prandaj, ky moment duhet të shërbejë për të avancuar vlerat tona të përbashkëta dhe konsolidimin tonë të mëtejmë në kuadër të strukturave demokratike evropiane dhe perëndimore”, ka shkruar ai më tej.

Të martën, Qeveria u zotua për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas. Shteti ka vendosur sanksione kundër Rusisë si pushtuese. Veprimi i Kosovës ishte në harmoni me qëndrimet e shteteve perëndimore.