Albert Krasniqi nga Democracy Plus e ka quajtur pamflet partiak rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të tetorit.
Sot KOHA publikoi letrën që IKSHPK-ja ia dorëzoi presidentes Vjosa Osmani duke rekomanduar për shtyrje të zgjedhjeve. Këtë rekomandim ky institucion ka thënë se e bën në bazë të ndikimit që mund të ketë procesi zgjedhor në rritjen e rasteve me COVID-19. Megjithatë, sipas Krasniqit, analiza më shumë ishte “pamflet partiak sesa një vlerësim profesional”.
“Analiza ‘profesionale’ e IKSHPK-së më shumë po i ngjanë një pamfleti partiak sesa një vlerësimi profesional. Nuk përmbanë asnjë të dhënë për të mbështetur rekomandimin për shtyrje të zgjedhjeve. Për më tepër, po bije në kundërshtim edhe me shifrat që një ditë më parë na i prezantojë Kryeministri për përmirësim të gjendjes me pandeminë. Si mund t’i besojmë parashikimeve të IKSHPK-së për dy muajt e ardhshëm, e cila u akuzua nga kjo Qeveri se ka bërë rekomandime të gabuara për hapjen gjatë verës, si dhe ka llogaritur gabimisht që diaspora do të vije e vaksinuar?!” ka shkruar ai në Facebook. “Sot, IKSHPK do të duhej të dilte me protokolle të detajuata se si të zhvillohet fushata e të organizohen zgjedhjet në kohë të pandemisë.”