Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi pa furnizim me jelekë për komisionerë të Qendrave Komunale të Numërimit e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve për zgjedhjet lokale të 2025-tës, pasi kompania që u shpall fituese e tenderit prej rreth 37 mijë eurosh refuzoi ta nënshkruajë kontratën dhe më pas u denoncua në Organin Shqyrtues të Prokurimit për mashtrim. Kjo rezultoi me anulimin e tenderit dhe me përfshirjen e kompanisë në listë të zezë për gjashtë muaj
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e rekomandoi për kontratën e furnizimit me jelekë të komisionerëve në zgjedhjet lokale të 2025-tës një kompani, të cilën më pas e denoncoi për mashtrim në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Në 6 shtatorin e vitit të shkuar, KQZ-ja e rekomandoi “Europrint Group”, porse ajo nuk u paraqit për ta nënshkruar kontratën e tenderit 36 mijë e 800 eurosh, e në të cilin pati ofertuar. Për pasojë, komisionerët në Qendrat Komunale të Numërimit (QNR) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) mbetën pa jelekë.
Në dosjen e tenderit të KQZ-së kërkohej që jelekët të kenë ngjyrë të kaltër e të hirtë, ndërkaq në kompaninë që u shpall fituese thanë se dorëzuan si mostër jelekë të gjelbër.
“Në këtë procedurë ne kemi marrë pjesë me mostër jeleku me ngjyrë të gjelbër dhe, në përputhje me LPP-në dhe dispozitat ligjore në fuqi, në rast se mostra nuk i përmbush specifikat teknike (në këtë rast ngjyra), oferta jonë do të duhej të eliminohej që në fazën e vlerësimit. Megjithatë, pasi jemi shpallur fitues nga Autoriteti Kontraktues – KQZ, nga ana e tyre na është kërkuar që të dorëzojmë jelekë me ngjyrë tjetër nga ajo me të cilën kemi aplikuar dhe që kemi dorëzuar si mostër. Për ne kjo ka qenë e pamundur, duke pasur parasysh afatin jashtëzakonisht të shkurtër për dorëzim, si dhe faktin se ne jemi përgatitur për të marrë pjesë në këtë aktivitet me jelekë me ngjyrë të gjelbër”, thanë në “Europrint Group”.
Sipas Panelit të OSHP-së, në përshkrimet teknike të dosjes së tenderit kërkesat për produktin kanë qenë të qarta. Kjo instancë konstatoi se operatori ekonomik e mashtroi autoritetin kontraktues dhe për këtë arsye u aprovua kërkesa e KQZ-së që operatori ekonomik të përfshihet në listë të zezë, për gjashtë muaj.
“Qëndron pretendimi i AKK-së për mashtrim për faktin se edhe operatori ekonomik në ofertën e tij ka dorëzuar një deklaratë me shkrim lidhur me specifikat teknike dhe afatin e liferimit të produktit”, thuhet në vendim të panelit shqyrtues të OSHP-së.
Në “Europrint Group” e quajtën të pabazuar e edhe tendencioz përfshirjen e kompanisë në listë të zezë, pasi thanë se “kriteri kryesor në këtë aktivitet prokurimi ishte dorëzimi i mostrës së jelekut”.
KQZ-ja e pati anuluar aktivitetin e prokurimit, pas refuzimit të operatorit ekonomik për ta nënshkruar kontratën, duke konstatuar se dështimi i shkaktoi dëm. E para OSHP-së, KQZ-ja paraqiti një e-mail të pranuar nga “Europrint Group, pas rekomandimit për kontratë.
“E kemi pranuar një e-mail nga OE ‘Europrint Group sh.p.k’, i cili ndër të tjera, ka deklaruar se ‘në këtë tender oferta jonë ka qenë e treta dhe nuk e kemi llogaritur se do të jemi fitues dhe për këtë arsye nuk jemi marrë me këtë tender’”, thuhet në emailin e paraqitur nga KQZ-ja.
Sipas dokumentit të OSHP-së, KQZ-ja e njoftoi operatorin ekonomik se “kushtet e dosjes së tenderit dhe oferta janë të panegociuara në këtë fazë”.
KOHA kërkoi sqarime nga KQZ-ja se përse e rekomandoi këtë kompani për tender nëse ajo dorëzoi mostër jeleku me ngjyrë tjetër prej specifikacionit të kërkuar, porse nuk mori përgjigje gjatë së martës. Në KQZ nuk u përgjigjën as në pyetjen nëse, përveç paraqitjes në OSHP, janë marrë hapa të tjerë lidhur me këtë tender.