Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, e ka shpallur të certifikuar Listën Serbe dhe kandidatët e saj për kryetarë të komunave veriore, me gjithë pretendimet e përfaqësuesit të Vetëvendosjes për shkelje ligjore dhe procedurale.
Ky zhvillim erdhi disa orë pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili anuloi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e kandidatëve. Vendimet e PZAP-it janë urdhër për KQZ-në, shkruan sot Koha Ditore.
Megjithatë, Adnan Rrustemi kërkoi të konsumohet afati i ankesës prej 24 orësh, të cilin ua ka lënë në dispozicioni PZAP-i. Ai ka insistuar se vendimi i këtij institucioni mund të apelohet në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Të marrim vendim nëse KQZ-ja është dakord për ta apeluar vendimin e PZAP-it. Nëse jo, duhet të presim 24 orë nëse ka ankesa, dhe të pritet deri të merret vendimi nga Gjykata Supreme”, ka thënë Rrustemi.
“Pala e cila mund të ankohet është KQZ-ja si institucion që ka marrë vendim dhe i cili është anuluar. Po ashtu, edhe Lista Serbe që nuk i është pranuar një pjesë e ankesës”, ka thënë kryetarja Daka, e cila kërkoi të deklarohen anëtarët nëse janë për deponim të ankesës.
Florian Dushi nga LDK-ja ka theksuar se tendenca që të ndalet procesi në pritje të afateve që janë krejtësisht teknike është e padrejtë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)