Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KPM hedh dyshime për mandatin e ish-kryeshefit

Komisioni i Pavarur për media ka miratuar rregulloren e re me të cilën do të përcaktohen procedurat për pranimin, vlerësimin, dhe disiplinën e kryeshefit ekzekutiv të KPM-së. Përbërja aktuale e KPM-së ka evidentuar disa paqartësi për mënyrën se si i ishte dhënë mandati ish-kryeshefit Luan Latifi, tash i akuzuar për korrupsion, nga kryetari i atëhershëm i KPM-së, Muja Ferati

Dyshimet për shkelje gjatë procesit të emërimit të ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Luan Latifi, e kanë shtyrë këtë Komision që të hartojë, e të miratojë të premten një rregullore të re, e cila do të përcaktojë procedurat për pranimin, vlerësimin, dhe disiplinën e kryeshefit ekzekutiv të KPM-së.

KPM ka evidentuar paqartësi mbi mënyrën e emërimit të kryeshefit ekzekutiv të Komisionit, Luan Latifi, të cilat kishin rezultuar me zgjatjen e mandatit të tij për një vit më shumë. Sipas procesverbaleve të KPM-së, më 29 gusht të 2019-s, në një mbledhje të KPM-së, me 6 vota për është bërë emërimi i Latifit, me një mandat 3-vjeçar, ashtu siç e parashihte Ligji për Shërbimin Civil.

“Z. FERATI qiti në votim kandidatët në bazë të këtij vlerësimi. Z. FERATI pyeti se kush është për që z. LUAN LATIFI të emërohet kryeshef ekzekutiv në mandat trevjeçar ashtu siç e parashohin konkursi dhe ligji. Komisioni votoi me 6 vota për dhe u konstatua se z. LUAN LATIFI emërohet kryeshef ekzekutiv i Komisionit të Pavarur për Media”, thuhet në procesverbal.

Por, vendimi për emërim në këtë pozitë të kryeshefit ishte nënshkruar nga ana e kryetarit të atëhershëm të KPM-së, Muja Ferati, dhe në të nuk figuron data e emërimit, por ajo e 16 shtatorit 2019, përkatësisht 17 ditë pas emërimit me vota të Komisionit.

Kësisoj, kryetari Ferati kishte pritur që të shfuqizohej Ligji për shërbyesit civilë e të hyjë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publikë, në mënyrë që vendimi të nënshkruhej mbi bazën e tij e kryeshefit t’i jepte mandat nga 3 në 4 vjet.

Kryetari aktual i KMP-së, Jeton Mehmeti, thotë se një vendim bëhet i plotfuqishëm atëherë kur votohet në Komision.

“Nëse do të konsiderohen si shkelje apo jo do të vendosin organet kompetente. Por ne si Komision kemi parë disa paqartësi sa i përket Ligjit me të cilin është emëruar ish-kryeshefi ekzekutiv, që kanë qenë mes Ligjit për Shërbyesit Civilë dhe vendimit të aktemërimit të tij, i cili është bërë me një ligj tjetër”, thotë ai.

Por, në një përgjigje për KOHËN, Muja Ferati ka thënë se meqë ishin më pak se 10 ditë pune nga hyrja në fuqi e Ligjit për Zyrtarët Publikë, para se ta nxirrte vendimin se cilit ligj duhej t’i referohej, është konsultuar paraprakisht me Ministrinë e Administratës Publike, që tash është fuzionuar në Ministrinë e Brendshme.

“Përmes menaxheres së Personelit kemi kërkuar që të kontaktojë zyrtarët përgjegjës në Ministrinë e Administratës Publike për t’u sqaruar kjo dilemë. Sipas zyrtares së Ministrisë, pavarësisht se cilit ligj i referohemi ne në vendim, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, me automatizëm barten të drejtat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe të njëjtat do të jenë të zbatueshme edhe për rastin e z. Latifit, meqë Ligji për Shërbimin Civil në Kosovë është shfuqizuar menjëherë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publikë”, ka thënë Ferati.

Ai ka theksuar se asnjë institucion ku është deponuar vendimi nuk ka pasur kontestime apo mëdyshje për të.

“Vendimi (si akt juridik) për pozitën e KE (kryeshefi ekzekutiv), që nga nënshkrimi i tij, është deponuar në të gjitha institucionet që është kërkuar të deponohet, për të ushtruar funksion të plotë ligjor dhe nga asnjë institucion, përfshirë edhe Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, si institucion i vetëm kompetent për të drejtat e zyrtarëve publikë në Kosovë, i njëjti nuk është vënë fare në mëdyshje për paqartësi eventuale. Ndaj vendimit në fjalë nuk ka pasur as ankesa brenda afateve të përcaktuara me Ligjin për procedurën administrative, prandaj, vendimi në fjalë ka prodhuar efektet juridike dhe i njëjti është i plotfuqishëm”, ka thënë Ferati në përgjigjen e tij.

KPM-ja i është drejtuar Ministrisë për interpretim lidhur me këtë rast. Nga ky dikaster Qeveritar nuk i kanë kthyer përgjigje KOHËS lidhur me trajtimin e kërkesës.

Aktualisht KPM-ja është me ushtrues detyre të kryeshefit dhe në këtë institucion kanë bërë thirrje për aplikim, meqë është paralajmëruar shpallja e konkursit.

Kryetari i KMP-së, Jeton Mehmeti, thotë se me Rregulloren e re kanë mundësi aplikimi edhe ata jashtë administratës publike.

“Rregullorja e re është rregullore e cila parasheh të gjitha procedurat për emërimin e kryeshefit të ri. Duke qenë një rregullore e cila e hap procesin, që nënkupton se të gjithë ata që ndihen kompetent dhe kanë përgatitjet e duhura do të mund të aplikojnë, qoftë nga administrata publike apo nga jashtë”, ka thënë ai.

Ish-kryeshefi Luan Latifi, aktualisht është në një proces gjyqësor ku akuzohet se ka kërkuar dhe marrë ryshfet bashkë me Arben Bilallin, atëherë drejtor i Administratës dhe Financave në KPM. I bashkakuzuari i tij Bilalli e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë vitin e kaluar.

KPM është institucion i pavarur që rregullon dhe mbikëqyr shërbimet mediale audio dhe audiovizuale.

Artikuj të ngjashëm