Është anuluar konkursi për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Derisa herën e parë, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk e kishte futur fare në votim zgjedhjen e kësaj pozite, këtë të enjte, prapa dyerve të mbyllura, ky organ vendosi ta anulojë atë krejtësisht.
Fillimisht, Këshilli mori vendim që, me dyer të mbyllura, ta diskutojë një kundërshtim të pranuar rreth raportit vlerësues për emërimin e kryeprokurorit.
Ndërsa, pas gati më shumë se 40 minutave takim, ky këshill mori vendim që ta anulojë këtë konkurs, për të cilin po garonin Blerim Isufaj dhe Haki Gecaj.
Aty u vendos që të hartohet rregullore e re për emërimin e kryeprokurorëve, bazuar në ndryshimet ligjore dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë mbledhje, gjithashtu, u shty hapja e konkursit për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe nuk u miratua ndryshimi i rregullores për emërimin e kryeprokurorëve.
KPK ka bërë një analizë mbi ngarkesën e prokurorëve me lëndë të pazgjedhura.
Por, kërkesa për transferimin e prokurorëve për t’i ndihmuar këtij institucioni në Mitrovicë, shkaktoi polemika në këtë takim.
Në këtë mbledhje, gjithashtu, u kërkua shtimi i numrit të prokurorëve në Prokurorinë e Apelit.