Klubi i Prodhuesve të Kosovës së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës sot ka organizuar konferencën “E ardhmja dhe sfidat e energjisë së ripërtërishme në Kosovë” e cila ka adresuar temat të cilat ndikojnë në të ardhmen e energjisë së ripërtërishme dhe zhvillimin e këtij sektori.
Gjatë konferencës u diskutua për tarifat nxitëse, si një ndër stimujt kryesorë të investimit në prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme.
Po ashtu, u shqyrtua edhe korniza ekzistuese rregullative për promovimin e projekteve të energjisë nga burimet e ripërtërishme në Kosovë, mënyrat e financimit të këtij sektori dhe se ku qëndron rëndësia e financimit të këtij sektori nga institucionet financiare në Kosovë.
Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, u shpreh që një ndër sfidat më të mëdha të prodhuesve është mungesa e vazhdueshme e furnizimit me energji elektrike, gjë e cila po ju shkakton bizneseve humbje të mëdha. Sipas Panxhës, liberalizimi i tregut të energjisë duhet të shtyhet edhe për pak, pasi që shumë operatorë ekonomikë nuk janë të gatshëm të përballen me këtë proces. Po ashtu ai theksoi se çmimi i tarifës nxitëse duhet të reflektojë çmimin e investimeve, në mënyrë që të mos dekurajohen investitorët potencialë.
Ndërsa, Berat Rukiqi- kryetar i OEK-ut, po ashtu ndau kënaqësinë që diskutimet të tilla si ky i sotmi po vazhdojnë të shtohen, ku gjatë këtyre viteve po shtohen diskutimet për burimet jokonvencionale të energjisë.
Sipas tij, në prodhimin e energjisë duhet të merren parasysh tri elemente e që janë: siguria furnizimit apo stabiliteti, kostoja dhe ruajtja e ambientit. Ai theksoi që duhet të vazhdohet me tarifat nxitëse dhe kërkoi nga institucionet financiare që të rrisin përkrahjen e investimeve në këtë sektor.
Arbnor Kastrati nga Shoqata për Energji të Ripërtërishme, kërkoi nga institucionet qeveritare që të jenë më të përgjegjshme në deklaratat publike të tyre. Tutje ai shtoi se institucionet duhet t’i shohin bizneset si partnerë dhe bashkëpunëtorë në përpilimin e strategjive të tyre.
Ndërkaq, përfaqësuesit e BERZH-it dhe IFC-së, Vlora Avdiu-Burani dhe Visar Perani, diskutuan për mënyrat e financimit të projekteve të cilat zhvillojnë sektorin e energjisë së gjelbër, ku BERZH-i vetëm gjatë vitit të kaluar ka investuar mbi 60 milionë euro, e 60% e këtyre fondeve janë investuar në energjinë e gjelbër. Ndërsa IFC, si pjesë e Bankës Botërore, energjinë e ka prioritet e posaçërisht energjinë e ripërtërishme.
Të pranishëm ishin përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit për Energji, përfaqësues nga Shoqata për Energji të Ripërtërishme e Kosovës, përfaqësues të biznesit si dhe përfaqësues nga institucionet financiare vendore dhe ato ndërkombëtare.