Në Kosovë, për Ditën e Evropës sot nuk është punuar dhe nuk ka pasur as mësim nëpër shkolla, pasi 9 maji është përfshirë në kalendarin e festave zyrtare. E për këtë, korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, thotë se në vendet evropiane e shprehin habinë që Kosova pushon ani se është vendi që është më së largu nga BE-ja. E disa nga qytetarët shprehën qëndrimin se kjo ditë nuk do të duhej të konsiderohej festë
Dita e Evropës e ka gjetur Kosovën të martën në pushim nga puna dhe nga mësimi nëpër shkolla.
Kjo ditë, që është në kalendarin e festave zyrtare në Kosovë, nëpër vendet evropiane shënohet me aktivitete të ndryshme, porse në shumicën prej tyre punohet.
Augustin Palokaj, korrespondent i KOHËS në Bruksel, thotë se në vendet evropiane shprehin habinë që kjo ditë në Kosovë shënohet me pushim, ani se ajo ndodhet më së largu Evropës sa u përket procedurave të integrimit.
“Kosova është vendi i fundit që ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e akoma s’është shqyrtuar aplikimi i Kosovës, ndonëse kanë kaluar pesë muaj prej kur kemi aplikuar. Jo vetëm që s’kemi status kandidati, por as nuk ka lëvizje sa i përket kërkesës së Kosovës. Pra, pa dyshim jemi vendi që është më së largu në procedurë në atë që quhet procedurë e integrimeve evropiane”, ka deklaruar Palokaj.
Kosova ka aplikuar zyrtarisht më 12 maj të vitit të shkuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe deri më tash i është përmbyllur veç faza e parë drejt këtij synimi, pasi që kërkesa i është pranuar dhe i është kaluar për fazë të mëtejme Asamblesë Parlamentare.
E nga 1 janari i vitit të ardhshëm, kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Schengen, pasi procesi i nisur prej vjetësh është finalizuar me publikimin në Gazetë Zyrtare të vendimit final të Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave, më 18 prill.
Vonesën në këtë proces, disa nga qytetarët e kanë kualifikuar si trajtim të pabarabartë të Kosovës.
“Shumë i gjatë, i mundimshëm për të rinjtë, për popullatën e Kosovës. Unë mendoj që ka qenë gabim, nuk ka qenë trajtimi i duhur kur të tjerave u janë heqë vizat, edhe Kosovës është dashtë edhe ma herët”, ka thënë Ismet Berisha, qytetar.
Në një situatë të këtillë, qytetarët janë shprehur se pushimi për Ditën e Evropës nuk ka ndonjë kuptim.
“Nuk ka kurrfarë kuptimi për mua, për arsye se ma së pari nuk jemi banorë të Bashkimit Evropian. Ma merr mendja që këta pushtetarët tanë qeto festa i kanë lidhë për vete, këto nuk kanë lidhje me festë”, ka shtuar Berisha.
Dita e Evropës shënohet me anë të aktiviteteve në të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së, porse pushohet në vetëm një prej tyre.
Ditë feste më 9 maj është veç në Luksemburg, vend ky që Ditën e Evropës e ka përfshirë në kalendarin e festave zyrtare para tre vjetësh.