Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova pa njohje të reja, Hoti e Pacolli kërkojnë shkarkimin e shefit të diplomacisë

Foto: Driton Paçarada / KD

Dështimi në arritjen e sjelljes së njohjeve të reja për Kosovën, tash e trembëdhjetë muaj dhe mos anëtarësimi në organizata ndërkombëtare ka bërë që të kërkohet dorëheqja ose shkarkimi i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli. Ndërsa ky i fundit thotë se ato nuk mund të merren si me magji.

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes deputetit të saj, Ismet Beqiri shprehet se ka stopim të njohjeve të reja dhe për gjithë këtë dështim diplomatik, siç konsideron ai duhet të kenë përgjegjësinë gjithë bartësit e institucioneve.

Për pozitën aktuale të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, Beqiri thotë se ajo asnjëherë nuk ka qenë më e keqe.

“Ne kemi institucione që fatkeqësisht nuk kanë kredibilitet dhe nuk janë duke e kryer punën siç duhet. Përkundrazi janë duke bërë dëme të mëdha vendit. Mbi 1 vit nuk kemi njohje, nuk kemi efektivitet në diplomacinë tonë, kemi ngecje të jashtëzakonshme, kjo i bën përgjegjës gjithë bartësit e institucioneve”, thotë deputeti i LDK-së Ismet Beqiri.

Edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se diplomacia e shtetit të Kosovës ka dështuar, pasi sipas tyre nuk po lobohet për njohje dhe anëtarësim në organizata multilaterale, por në ndarje dhe korrigjim të kufijve.

Edhe Kosova e ’19-s: Skandalet diplomatike Arbëri Kosova e ’19-s: Skandalet diplomatike

Deputetja nga radhët e kësaj partie, Fitore Pacolli për gjithë këto dështime, siç i cilëson ajo, në diplomacinë kosovare duhet dorëheqja e ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, dhe jo vetëm e tij.

Për mundësit e njohjeve të reja, deputetja e VV-së për KosovaPress shprehet se nuk do të ketë asnjë njohje të re deri sa është kjo situatë.

“Diplomacia e shtetit të Kosovës ka dështuar dhe po vazhdon me atë ritëm, ne nuk kemi diplomaci. Nuk kemi lobim, shqetësuese mbetet ajo që tani presidenti po lobon që të njihet dhe të përkrahet iniciativa e tij për korrigjim të kufijve. Pra, në vend që ne të lobojmë për njohje, ne po lobojmë për ndarjen e Kosovës. Presidenti i Kosovës po lobon për ndarje të Kosovës. Këtu është problemi dhe nuk do të ketë asnjë njohje deri sa është kjo situatë. Kush e mban përgjegjësinë, përgjegjësinë e mban ky president, ministri i Punëve të Jashtme, dhe Kryeministri. Që të tre duhet të japin dorëheqje”, thotë deputetja Pacolli.

Se ka dështim në diplomaci e thonë dhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Profesori universitar, Afrim Hoti, thotë se diplomacia kosovare është pranë kolapsit, për shkak të dështimeve të vazhdueshme dhe mos arritjes së realizimit të objektivave.

Për gjitha këto, Hoti kërkon dorëheqjen ose shkarkimin e ministrit të Punëve të Jashtëm, Behgjet Pacolli.

“Deri më tani nuk po shohim llogaridhënie, nuk po shohim transparencë, madje dhe tërheqje më ekstreme, në ato raste siç është rasti tash me diplomacinë do t’i bënte mirë qeverisë në radhë të parë, por mbi të gjitha vendit. Gjithsesi, në ato raste kur dështojmë të marrim anëtarësinë në organizata ndërkombëtare, nuk marrim njohje. Përkundrazi, ballafaqohemi me tërheqjen e njohjeve, mendoj që është akti elementar që ministri i Punëve të Jashtëm të shkonte”, deklaron Hoti.

Përkundër gjitha këtyre akuzave, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli duke arsyetuar mungesën e njohjeve tha se ato nuk janë një gjë magjike që shkon dhe i merr, por janë shumë të komplikuara.

Edhe Skandalozi i përsëritur i Vitit – Behgjet Pacolli Arbëri Skandalozi i përsëritur i Vitit – Behgjet Pacolli

“Njohjet nuk janë një gjë magjike që shkon dhe i merr. Njohjet janë jashtëzakonisht të komplikuara për arsye se nuk është vetëm vullneti i një personi”, ka thënë ministri Pacolli.

Kujtojmë se shteti i Kosovës është përballur dhe me pretendime të tërheqjeve të njohjeve, të cilat gjithmonë i ka mohuar shefi i diplomacisë kosovare.