Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Skandalozi i përsëritur i Vitit – Behgjet Pacolli

Nga keq në tmerrësisht keq ka shkuar diplomacia kosovare, e udhëhequr nga përherë skandalozi Behgjet Pacolli.

As këtë vit, Kosova nuk ka qenë afër pranimit të ndonjë njohjeje, përkundrazi ka vazhduar ofensiva e ashpër e Serbisë, që ka çuar në tërheqjen e njohjes nga një sërë shtetesh. Krejt çka ka bërë Ministria e Jashtme ka qenë të mohojë tërheqjet e njohjeve pa ofruar argumente për të kundërtën.

Pacolli i ka realizuar disa vizita e ka marrë pjesë në disa forume, por pozita ndërkombëtare e Kosovës ka stagnuar.

Në një tjetër dështim spektakolar, Kosova e ka tërhequr në minutën e fundit aplikimin për anëtarësim në INTERPOL, dhe as që e ka marrë mundin të provojë të aplikojë për anëtarësim në UNESCO.

Në rrafshin e funksionimit të Ministrisë, Pacolli i ka rehatuar njerëzit e tij e të partisë, për të cilat skandale ka raportuar vazhdimisht KTV-ja. Një këshilltar e ka bërë Shef të Akademisë Diplomatike, e të tjerë nga AKR-ka i ka dërguar në misione diplomatike kudo nëpër botë, kryesisht në Evropë.

Pavarësisht dorëheqjes së Qeverisë në korrik, Pacolli ka vazhduar jashtëligjshëm marrjen e shumë vendimeve duke përfshirë emërimin e biznesmenit Shkëlqim Devolli, si konsull nderi në Mal të Zi. I kulmoi në fundvit skandalet duke e emëruar konsull në Tiranë, nipin e Sami Lushtakut, për të cilin siç merr vesh Koha Ditore, e ka të kryer vetëm shkollën fillore.