Lul Raka, mikrobiolog, njëherësh koordinator i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve vazhdon të jetë fenomen shqetësues.
Megjithatë, Kosova ka shënuar progres në këtë drejtim, pasi nga vendi i njëmbëdhjetë sa kishte dalë para shtatë vjetësh, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në konsumin e përgjithshëm të antibiotikëve, ka kaluar në vendin e nëntëmbëdhjetë.
Radio Evropa e Lirë: Antibiotikët në Kosovë vazhdojnë të shiten pa recetë të mjekut. A duhet lejuar një formë të tillë të përdorimit të antibiotikëve?
Lul Raka: Jo nuk duhet lejuar pasi që njëkohësisht është e ndaluar edhe me ligj shitja e antibiotikëve pa recetë, por që fatkeqësisht kjo praktikë vazhdon në Kosovë, përkundër përpjekjeve që janë bërë, por që kanë rezultuar pa sukses. Kjo mendoj se është një prej dështimeve kryesore në adresimin e përdorimin e antibiotikëve dhe rezistencës së antibiotikëve në Kosovë. Me një vullnet më të madh politik dhe me një qasje më rigoroze ndaj farmacistëve kjo gjë do rregullohej shumë shpejtë. Kjo është edhe një prej pikave dhe vërejtjeve që është bërë në raportin e progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën.
Radio Evropa e Lirë: Kosova zë vendin e parë në Evropë, kur bëhet fjalë për përdorimin e antibiotikëve injeksion të cef-reaksionit (grup antibiotikësh). Pse ndodhë kjo, a po keqkuptohet përdorimi i antibiotikut?
Lul Raka: Gjatë kësaj jave është javë botërore e vetëdijësimit për antibiotikë. Para dy ditësh janë publikuar të dhënat e fundit të antibiotikëve të Organizatës Botërore rë Shëndetësisë për konsumin e antibiotikëve në nivel global. Ne që nga viti 2011 i kemi mbledhur të dhënat e deri më sot. Në 2011 në Evropë kemi qenë në vendin e 11-të në konsumin e përgjithshëm të antiibiotikëve me 26.2 përqind vlerë e standardit sipas konsumit për kokë banori. Rezultatet e dy ditëve më parë kanë dëshmuar se ka ulje me 30 për qind, pra ka rënë në 20.8 përqind të konsumit total të antibiotikëve.