Balkan Green Foundation dhe Germanwatch organizuan Konferencën mbi tranzicionin e energjisë “Sfidat dhe mundësitë në Kosovë dhe rajon”, në të cilën u shtjelluan sfidat, strategjitë e politikave si dhe rruga drejt një tranzicioni të energjisë në Kosovë dhe në rajon.
Visar Azemi, drejtori ekzekutiv i Balkan Green Foundation, në hapje të konferencës tha se tranzicioni i energjisë është një fenomen global, ndaj të cilit Kosova nuk është e veçuar. “Tranzicionin e energjisë e kemi mësuar nga miqtë tanë gjermanë, të cilët dëshmuan që ai është i mundur dhe tani ne jemi duke punuar së bashku për të analizuar mundësitë që Kosova ka në këtë fushë. Kosova ka potenciale të mëdha të energjisë solare dhe asaj të erës, andaj investimet në burimet e ripërtëritshmë duhet përshpejtuar,” tha Azemi.
Pjesë e konferencës ishin edhe Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Christian Heldt, ambasadori gjerman në Kosovë, dhe Riccardo Serri, shefi i sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrim Evropian në Zyrën e BE-së në Kosovë, të cilët morën pjesë në diskutim mbi rrugën drejt një të ardhmeje të begatë dhe të qëndrueshme të sistemit energjetik në Kosovë e rajon. Përgjatë fjalimeve të tyre u cek se është e rëndësishme siguria e furnizimit me energji, përballueshmëria e çmimeve nga qytetarët, mbrojtja e ambientit dhe integrimi i burimeve të ripërtëritshme në sistemin energjetik – duke punuar kështu në arritjen e një tranzicioni energjetik në Kosovë dhe rajon.
Konferenca u nda në dy panele diskutuese. Paneli i parë diskutoi mbi rëndësinë e integrimit të burimeve të ripërtëritshme në sistemin energjetik, duke shqyrtuar politikat që nxisin efikasitetin e energjisë dhe kalimin nga qymyri në burimet e ripërtëritshme – të cilat janë thelbësore në arritjen e një tranzicioni energjetik në Kosovë dhe rajon. Përgjatë diskutimit u tha se tranzicioni në energji nuk nënkuptohet vetëm në ndryshimin e burimeve të energjisë, por edhe në përfshirjen e tranzicionit social, duke zhvendosur një sistem të centralizuar të energjisë në atë ku qytetari dhe konsumatori janë në qendër të zhvillimit të energjisë.
Paneli që u mor me këtë çështje përbëhej nga zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, DG ENER, Balkan Green Foundation, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, dhe GIZ.
Paneli i radhës shqyrtoi sfidat dhe mundësitë e investimeve në sektorin e energjisë nga perspektiva e ekonomisë, ligjit, teknologjisë në dispozicion dhe investitorëve potencialë. Përveç kësaj, panelistët debatuan mbi prioritetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë zbatimin e Pakos së Tretë të Energjisë dhe integrimin në treg në nivel rajonal, si dhe në tregjet evropiane. Pjesë e këtij paneli ishin përfaqësues nga KOSTT, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Germanwatch, Agora Energiewende, Agjencia e Kosovës për Efiçencë të Energjisë, dhe nga SOWI Kosovo.
Edhe
Ambasadori britanik për ndryshime klimatike sheh potencial për energji solare dhe me erë në Kosovë
Prezent në konferencë ishin përfaqësues të institucioneve vendore dhe të huaja, të shoqërisë civile, ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, profesorë e studentë, të cilët kontribuuan me diskutime konkrete në adresimin e çështjeve me interes të përbashkët në rrugën e Kosovës për zhvillimin dhe tranzicionin e energjisë.
Gjatë diskutimeve me pjesëmarrësit, u theksua se duke marrë parasysh se rajoni është shumë i varur nga lëndët djegëse fosile, është e domosdoshme që agjendat e zhvillimit të energjisë të prioritizojnë diversifikimin e burimeve të energjisë, duke pasur qëndrueshmërinë, besueshmërinë dhe përballueshmërinë si gurthemel të politikave të tyre të energjisë.
-
KOSID: “Kosova e re” nuk i hap rrugë tranzicionit të energjisë në Kosovë
- Nga strategjia te zbatimi: Sfidat e tranzicionit energjetik në Kosovë
-
Raporti i INDEP-it: Kosova ka potencial energjetik, por s’ka mjaftueshëm investime
-
Konferenca e 3-të e CIGRE Kosovë mbahet nga 22 – 24 Tetor në Prishtinë. Skenë kyçe për të ardhmen energjetike të vendit