Potenciali më i madh në fushën e energjisë në Kosovë është në atë solare dhe me erë, ka thënë në Interaktiv të KTV-së, David Moran, ambasador britanik regjional për ndryshimet klimatike (COP26). Sipas tij, pasi që shumë vende kanë gjetur mënyrat për t’i funksionalizuar, edhe Kosova mund ta rrisë përqindjen e kësaj energjie.
Moran që po qëndron në Kosovë ka thënë se qëllimi i vizitës së tij ka qenë t’i kuptojë politikat e Kosovës për energji dhe të tranzicionit dhe se si Kosova planifikon t’i trajtojë ndryshimet klimatike.
“Mendoj se ndoshta potenciali më i madh është në fushën e energjisë solare dhe asaj me erë, sepse të dyja këto janë prezente dhe siç e pashë dielli sot shkëlqente shumë. Ekziston një teknologji që çdo ditë e më shumë kushton më lirë, është më efektive dhe e besueshme. Shumë vende të botës kanë gjetur mënyrat për t’i funksionalizuar ato në hapësira të gjera. Kështu që kam besim se Kosova dëshiron dhe do të jetë në gjendje ta rritë përqindjen e kësaj energjie këtu”, ka thënë ai kur është pyetur për potencialet e Kosovës në energjinë e pastër.
Për objektivat e Kosovës në sektorin e energjisë, Moran ka thënë se shumë gjëra që Kosova do të donte t’i bënte varen nga zhvillimet që ndodhin diku tjetër.
“Për shembull, ka furnizues që mund të vijnë nga vendet e tjera dhe ka prodhim që Kosova ofron tek fqinjët që mund të japin siguri në sektorin e energjisë, pra duke tregtuar lloje të ndryshme të energjisë, e cila varet nga sezoni apo origjina se prej nga vjen. Në parim, posedimi i sa më shumë resurseve të energjisë iu jep juve më shumë zgjidhje”, ka propozuar ai.
Edhe
Raporti i INDEP-it: Kosova ka potencial energjetik, por s’ka mjaftueshëm investime
Sipas Moranit, Kosova duhet të shkojë drejt një qasjeje neutrale për të arritur te pika për zero thëngjill. Si zgjidhje ai ka thënë se Kosova duhet të lëvizë me “goxha shpejtësi” nga fosilet dhe lëndët djegëse dhe të shkohet drejt energjisë së pastër.
“Kjo mendohet globalisht ku ne duhet të reduktojnë emetimin e dyoksid karbonit deri më 2030 dhe tani jemi larg tetë vjet nga kjo. Kështu që është pjesë e tranzicionit, e dimë se thëngjilli është pjesë e shumë vendeve, por në Samitin që patëm në Glasgow të gjitha shtetet u pajtuan që ta largojnë këtë lëndë, pra më shumë se 60 prej tyre. E di se Kosova nuk ishte pjesëmarrëse, por është me rëndësi që të angazhohemi me Kosovën, sepse ndryshimi klimatik është global, Kosova është pjesë e planetit dhe duhet ta kuptojmë e ndihmojmë njëri-tjetrin”, ka thënë ai.
Tejkalimin e krizave, sikur ajo e dimrit, Morani ka thënë se Kosova mund ta bëjë duke gjetur alternativa tjera, duke bashkëpunuar me fqinjët. Ka rekomanduar edhe nxitjen e qytetarëve që të shfrytëzojnë më pak energji, kur bëhet fjalë për kriza si ajo që kapi botën muajve të dimrit, me çmimet që fluturuan.
Morani s’ka komentuar mundësinë që Kosova të përfshihet në infrastrukturën e gazit, sipas propozimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka thënë se do ta shfrytëzojë vizitën në Kosovë për të mësuar për këtë çështje. Teksa ka refuzuar të flasë në specifika për gazin që konsiderohet si produkt tranzicioni, Moran ka thënë se mund të inkurajojë më shumë energji solare, me erë dhe hidro.
Edhe
Kurti: Kosova po përforcohet si destinacion i preferuar për investime në energji
Moran ka komentuar edhe ndikimet gjeopolitike në çështjen e çmimeve dhe të energjisë elektrike.
“Përgjigjja e shkurtër është se unë mendoj për atë se çfarë qeveritë bëjnë për sigurinë energjetike në kuptim të qëndrueshmërisë afatgjatë, jo vetëm të sigurisë në furnizim, por në të gjitha aspektet. Kjo është e ndërlidhur ngushtë me ndryshimet klimatike dhe sfida e vërtetë këtu është të bëhen zgjidhjet e drejta, sepse çfarëdo që bëjmë tani, nuk mund të jenë të dëmshme më vonë. Kështu që situata është përdorur si arsyetim ndoshta në shumë vende për të thënë- ‘harrojeni energjinë e ripërtëritshme, nuk na duhet, madje harrojeni edhe ndryshimin klimatik - është për të ardhmen. Të mos hiqen nga përdorimi fosilet dhe lëndët djegëse’. Por në afat të shkurtër kjo është shumë ndotëse, ndërsa në afat të gjatë i dëmton vendet. Përgjigjja afatshkurtër dhe afatgjatë është e gjelbra, por siç e thashë më herë, ky është një tranzicion. Nuk do të thotë se duhet bëhet mbyllja e menjëhershme e fosileve e lëndëve djegëse. Do të thotë planifikim i një udhërrëfyesi për heqjen e ndotësve dhe sjelljen e alternativave që varen prej vendit. Si e thashë, Kosova mund të bëhet solare dhe me erë, si hapësira kryesore të rinovueshme”, ka përfunduar Moran.