Arbëri

KOSID: “Kosova e re” nuk i hap rrugë tranzicionit të energjisë në Kosovë

Burimet e ripërtërira bashkë me efiçiencën e energjisë janë një ndër faktorët kryesorë të tranzionit të energjisë, ndonëse në Kosovë tranzicioni në këtë fushë kërkon ndryshim total të prodhimit, pasi vendi ynë është prodhues i energjisë me thëngjill mbi 95 për qind.

Kështu u tha sot në konferencën “Tranzicioni i Energjisë në Kosovë”, organizuar nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID).

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Politikave Zhvillimore pjesë e KOSID-it, Burim Ejupi tha se Kosova ka potencial për tranzicion të energjisë, por synimet për ndërtimin e kapaciteteve të reja për prodhim të energjisë me thëngjill, kjo vështirë të arrihet.

“Edhe në Kosova ka ardhur fryma e tranzicionit energjetik, sepse edhe vendi është pjesë e saj. Mënyra si e shpenzojmë dhe prodhojmë energjinë, pra mos me hyrë pjesë e tranziscinit vetëm prodhimi. Te ne mbi 95 për qind e energjisë prodhohet prej qymyrit pjesa tjetër prej burimeve të ripërtërirë dhe alternative. Por, mënyra e tranzicionit energjetik kërkon një tranzicion energjetik total nga sistemi I prodhimit, por edhe konsumit”, tha Ejupi, transmeton kp.

Zëvendësdrejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Dirk Buschle, tha se ky Sekretariat do ta hartojë ligjin për klimën në Kosovë, i cili sipas tij i mungon tani dhe do t’i prezantohet qeverisë dhe kuvendit së shpejti dhe shpresohet se do t’i ndihmojë në nisjen e procesit të tranzicionit të energjisë.

“Tranzicioni tani, i cili vjen jo vetëm nga Gjermania, por i cili është global dhe është tranzicion që ka të bëjë me dekarbonizimin dhe heqja nga përzierja e karburantit që po e dëmton gjeneratën tonë dhe brezat që vijnë pas nesh, si pasojë e ndikimit në klimë, andaj, ne nuk duhet të veprojmë ashtu vetëm nëse na shtynë dhe na përplasin për muri. Këtu duhet të përfshihemi pro aktiv dhe po e shoh një trend këtu se kjo qasja pro aktive përderisa pjesa tjetër e Evropës e ka përqafuar tranzicionin e energjisë. Fakti se do të ndryshojmë sektorët dhe jetën tonë me themel, ekziston rreziku se kjo në rajon të ndodhë me vonesë. Në Kosovë ka shumë mundësi për shfrytëzim, ju i përmendet edhe vet, energjinë e ripërtëritrë, pastaj efiçiencën e energjisë”, ka thënë Buschle.

Nënkryetari i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Dardan Sejdiu i cili tërë kohën e tij në panel është përqendruar te marrëveshje komerciale ndërmjet Qeverisë dhe kompanisë “Contour Global” për ndërtimin e TC Kosova e re, tha se kjo është në kundërshtim me frymën e ligjit për energji elektrike dhe me traktatin për energjinë, në këtë rast me marrëveshjet që janë nënshkruar me Bashkimin Evropian.

Sipas tij, marrëveshja me “Contour Global” nuk e lejon Kosovën të shkoj përpara në frymën e tranzicionit.

“Do të tregoj pse kjo marrëveshje me “Contour Global” nuk na lejon që të ecim përpara që do të ishin në frymën e tranzicionit në energji. E para, është interkonjeksioni me Shqipërinë, që është ndërtuar me fonde të Qeverisë Gjermane një interkonjeksion dhe kjo në vete është një aset të cilin ende pa e future në shfrytëzim do ta shkatërrojmë me kontratën e re. Pra, do të kemi gjendje që energjia, e cila ne vjen prej burimeve të ripërtërirë në kohën kur neve do ta duhej, nuk mund të futet në shfrytëzim, sepse kemi një obligim që vjen prej kontratës, e që është gjithqysh duhet me blerë 450 megavat me 80 euro megavat orë, çmim të synuar prej prodhuesit “Contour Global””, ka thënë Sejdiu.

Edhe pse në këtë panel ka qenë i ftuar edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ai ka refuzuar të marrë pjesë me arsyetimin se nuk dëshiron të duket si i vetmi mbështetës për termocentralin “Kosova e re”.